“Dribluesit i numërojmë me gishtat e dorës”, Nejmari ngre shqetësimin: Po zhduket talenti, tani duan vetëm fuqi dhe intensitet

Futbolli po shkon gjithnjë e më shumë drejt rezultatit dhe gjithnjë e më larg nga spektakli. Driblimet janë më të pakta përgjatë lojës, teksa lojtarët janë më të disiplinuar dhe më strikt ndaj taktikave. Në një intervistë për “Ziggo Sport”, Nejmari ka ngritur shqetësimin se brezat e lojtarëve driblues po zhduken. Ai thekson se në futboll tashmë po synohet më tepër forca dhe intensiteti në lojë dhe jo aftësitë teknike të futbollistëve.

“Sot shohim shumë pak lojtarë me aftësi të jashtëzakonshme teknike, si Viniciusi, Rodrigoja, Rajan Çerki. Ata i numëron me gishtat e dorës. Futbolli tani ka më shumë të bëjë me fuqinë dhe intensitetin. Kjo është arsyeja pse po humbasim një brez të tërë lojtarësh me aftësi të jashtëzakonshme teknike, dribluesit. Ne punojmë shumë me forcën dhe kështu humbasim një pjesë të talentit. Driblimi po zhduket”, ka thënë Nejmari./Sport Ekspres