Tirana është duke vuajtur në një sezon aspak të mirë. Bardheblutë ndodhen në vendin e fundit të Superiores dhe ndodhen tre pikë larg Teutës që ndodhet në sezonin e Play Out. Ndeshja e nesërme për Tiranën do të jetë kundër Partizanit në derbi. I ftuar në “Max Sport”, ish-mbrojtësi i Tiranës, Rezart Dabulla, është shprehur se nëse Tirana humbet kundër Partizanit, do të rrëzohet nga elita e futbollit shqiptar.
“E kam thënë që Tirana është më e rrezikuar. E kam thënë që do të luftojë për të shpëtuar Play Out-in, në fakt po lufton për të shpëtuar rënien, pra situata është më e keqe. Derbi nesër me Partizanin? Nëse Tirana nuk fiton nesër, del nga Superiorja. Nëse fiton nesër, ka shpresë për të mbijetuar. Tirana duhet të fitojë me patjetër katër ndeshje për të shpëtuar, por që të fitojë katër ndeshje në këtë pikë të kampionatit kur të gjithë duan pikë, është shumë e vështirë. Tirana ka pesë fitore në gjithë kampionatin dhe tani duhet të marrë katër fitore radhazi, për mua është më e rrezikuara nga të gjitha.
Kanë gabuar të gjithë. Nuk janë këta lojtarët e duhur për Tiranën. Ky trajneri që kemi aktualisht ka nxjerrë Dinamon nga kategoria me 1 milionë e gjysmë euro buxhet, Tirana po del nga kategoria dhe ka 1 milionë euro buxhet, se ndoshta nuk e dinë njerëzit dhe thonë ka ulur buxhetin Tirana, ka 1 milionë euro buxhet dhe paguan 95 mijë euro rroga mujore tani që flasim. Janë paguar rrogat, mund të ketë pak vonesa si ndodh zakonisht, po nuk është problem parash. Po na vjen turp që kemi luajtur me Tiranën, një tifozi të Tiranës tani i vjen turp të thotë se është tifoz i Tiranës”, tha Dabulla. /Sport Ekspres/