Mbrëmjen e sotme është luajtur derbi i zjarrtë i Romës. Skuadrat barazuan me shifrat 1-1 në “Olimpiko”, i cili ishte i stërmbushur këtë mbrëmje. Ndeshja u zhbllokua në minutën e 47 nga Romanjoli, por Sule u kundërpërgjigj në minutën e 69.
Sfida, të cilën Elseid Hysaj e ndoqi nga stoli, përfundoi në baraspeshë, teksa fituesit e vërtetë të këtij derbi ishin tifozët në tribuna. Të dyja tifozeritë kanë dhuruar spektakël me koreografitë e tyre, të cilat kanë mbushur të gjithë stadiumin.
Ultrasit e Lacios kanë shpalosur një banderolë me mbishkrimin: “Lacioja është atje ku janë lacialët”, si dhe kanë përdorur ngjyrat bardhekaltër në koreografinë e tyre. Gjithashtu kanë përdorur edhe ndërtesa simbolike të kryeqytetit italian, të tilla si Koloseu.
Në krahun tjetër, edhe ultrasit e Romës nuk kanë mbetur pas. Ata kanë përdorur ngjyrat simbolike të klubit, ato verdhekuqe, si dhe kanë shpalosur portretet e ikonave të tyre të futbollit. Gjithashtu është vënë re edhe një banderolë, ku shkruhej: “Një qytet, një fanellë”./Sport Ekspres/