Shqipëria ndodhet në një gjendje të pazakontë, mes studentëve që kërkojnë të drejtat e tyre dhe qytetarëve të tjerë të cilët e shohin të pamundur mbylljen e muajit. Ky vend bëhet dita-ditës i pajetueshëm për shkak të problemeve të mëdha që kanë të bëjnë me mënyrën e qeverisjes në gjithë vitet e fundit, jo vetëm tani.
Jo për të bërë politikë, por thjeshtë sa për të treguar se nëse flet tani për mbështetjen e munguar të Qeverisë karshi futbollit, do të dukesh si “i rrjedhur” apo ” i luajtur” mendsh. Por nuk ka problem, futbolli është mësuar të mbetet i fundit. Futbolli është mësuar të mbetet i fundit dhe kur gjithçka shkon vaj për Qeverinë aktuale.
Futbolli është mësuar të mbetet i fundit dhe kur Qeveria aktuale mori 1.5 milionë euro tatime nga shpërblimet e Europianit. Sjellja e saj kundrejt sportit që i ka dhënë më shumë dorë Shqipërisë në imazh? Mjaftojnë të kujtojmë Europianin e parë me De Biazin, të gjithë nxituan kush e kush të priste i pari lojtarët e Kombëtares, t’i jepnin pashaportat diplomatike dhe si për “turp të Zotit”, nëse e njohin këtë fuqi mbinatyrore, ua hoqën sapo nisën rezultatet e para negative.
Spektakël, show, kjo është ajo që duam! Nuk na pëlqen të pikturojmë me ngjyra të ndezura, nga ajo jeshilja përshembull e fushës së blertë, duam ngjyra të tjera, ato bardhë e zi, të ftohta dhe të akullta, pa jetë, por të jenë me objekte sa më të larta, si kullat. A i japin ato më shumë përfitime shoqërisë sesa fushat e futbollit, sesa ndihma për futbollin? Shoqërisë jo, të tjerëve po…
Por nuk ka rëndësi, askush si nuk kishte rëndësi edhe në kohën e pandemisë. Shteti dha një ndihmë të vogël për këdo, por futbolli duhej ta gjente vetë vendin ku të mbytej. “Gjeni një gur dhe çani kokën”, tha atëherë kryeministri i Shqipërisë. Me siguri që nëse ky territor i fundit i papushtuar do të ishte i tyre, do të kishte një tjetër qasje ndaj futbollit, një tjetër dashamirësi.
Dhe futbolli? Diti të shpëtojë edhe pa ta, siç ka bërë gjithmonë. Qasja e Qeverisë aktuale ndaj futbollit duket shumë “inatçore”, sikur të duan që të mos kemi rezultate prej aty, duan ta shohin të përkulur në atë pikë, që të arrihet fundi. Dhe kur arrihen rezultate të mëdha? Faqet e Facebook të disa politikanëve kthehen si në media sportive, pasqyrojnë golat e lojtarëve të Kombëtares sepse thellë-thellë e dinë se çfarë kemi arritur nëpërmjet këtij sporti.
Asnjë ndihmë të vetme për ligjin e sponsorizimit, asnjë. E imagjinoni në një moment, një performancë e tillë e fundit aq e bukur në Europë, se ku mund të arrinte nëse do të kishim edhe Ligjin e Sponsorizimit? Vetëm pak mendojeni… Por kundrejt futbollit veprohet sikur ky sport të jetë i mbushur me disa të huaj që duhen lënë “jetim” pasi është territori i vetëm që nuk u arrit dot kurrë, lufta e vetme e humbur. Sa shumë është kërkuar ky ligj, madje njëherë kampionat bëri grevë dhe filloi me vonesë, shumë premtime, por asnjë zgjidhje.
Stadiumet e Durrës, Vlorës dhe Korçës janë vetëm disa projekte vizatimi të bukura, por ende të parealizuara. Sepse ato nuk të japin përfitime, si kullat përshembull. Fëmijët shqiptarë duhet të mësohen po ashtu, futbolli është loja e ndaluar për ta, duke filluar që sa zbret nga shkallët e pallatit ku betonizimi është kudo. Dhe në mes të kësaj pamje që nuk të frymëzon aspak, që nuk të jep aspak shpresë, futbolli shqiptar, mirë ose keq, vazhdon të prodhojë rezultate mbreslënëse. Madje aq të mira janë ato, sa njerëzit janë mësuar tashmë dhe harrojnë hera-herës se ku jetojmë dhe sa janë mundësitë. Në ishullin e vetëm të paprekur, që ende të jep pak shpresë se dhe ne, jemi si gjithë të tjerët… /Sport Ekspres/