Realin e Madridit e pret një detyrë e vështirë mbrëmjen e së mërkurës. “Los blancos” duhet të përmbysin rezultatin 3-0 për të kaluar në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Madrilenët janë të karikuar për sfidën kundër Arsenalit, teksa po përdorin çdo mënyrë motivimi për lojtarët.
Së fundmi, klubi spanjoll ka shpërndarë një video motivuese në faqen e vetë zyrtare. Reali i Madridit ka bërë një përmbledhje me çastet e përmbysjeve të ndeshjeve në shtëpinë e tyre në Ligën e Kampionëve. Videoja titullohet me titullin: “’Bernabeu’, edhe një herë tjetër”, si dhe në të dëgjohet në sfond edhe një fjalim motivues, si më poshtë:
“Do t’ju tregoj një botë pa kufij dhe limite. Një botë ku gjithçka është e mundur. Nuk e di të ardhmen. Nuk erdha këtu për t’ju thënë se si e gjitha kjo do të përfundojë. Erdha për t’ju thënë se si do të fillojë. Një ditë do të përfundojë, por jo këtë herë”./Sport Ekspres/