Kjo nuk duhej! FIFA i jep dënim të rëndë Shqipërisë, mbyll 20% të stadiumit kundër Serbisë

Gjithmonë e më shumë po afrojnë emocionet e ndeshjes Shqipëri-Serbi. Kjo përballje do të zhvillohet në Arenën Kombëtare dhe do të jetë si një finale për kuqezinjtë, ku në rast fitore rriten së tepërmi shanset tona për të marrë vendin e dytë në grupin kualifikues të Botërorit.

Ndërkohë në ditën e sotme ka ardhur një lajm i keq për Shqipërinë. FIFA ka gjobitur Federatën Shqiptare të Futbollit për sjellje diskriminuese të tifozëve shqiptarë gjatë ndeshjes kualifikuese për Botërorin 2026 ndaj Andorrës, e zhvilluar në stadiumin “Arena Kombëtare” më 24 mars 2025.

Komisioni Disiplinor i FIFA-s e konsideron të papranueshme sjelljen e tifozëve dhe ka vendosur një gjobë prej 20 mijë frangash zvicerane ndaj FSHF-së si edhe mbylljen e të paktën 20% të stadiumit në ndeshjen e radhës së Shqipërisë në kompeticionet e FIFA-s, me prioritet në tribunat pas portave.

Sipas vendimit të dhënë nga FIFA, ky 20% mund të mbushet me grupe të komunitetit ose organizata kundër diskriminimit, me miratim paraprak nga qeveria botërore e futbollit. Gjithashtu, brenda 6 muajve, FSHF duhet të hartojë dhe të paraqesë një plan të përmirësuar kundër diskriminimit që duhet të miratohet nga FIFA.

Pra në ndeshjen kundër Serbisë do të kemi një mbyllje të 20% të stadiumit, në tribunat pas porte. Kjo tribunë pritet që të mbushet me organizata kundër diskriminimit, që sigurisht nuk do të krijojnë të njëjtën atmosferë që ne jemi mësuar që të shohim zakonisht që të na vijë prej andej nga TKZ, e cila është një tifozeri e flaktë dhe e ka treguar këtë prej vitesh./Sport Ekspres/