“Ekipi vjen para lojtarëve”! Trajneri i Austin “sakrifikon” Myrto Uzunin, e përdor si më para Silvinjo te Shqipëria

Pas një aventure fantastike me Granadan, Myrto Uzuni shkoi në MLS për të firmosur me Austin. Futbollisti shqiptar e nisi këtë eksperiencë në rolin e tij të preferuar teksa në një skemë me dy sulmuesë, Uzuni ishte në dyshen përpara dhe kishte më shumë mundësi për të shënuar. Megjithatë në ndeshjen e fundit të fituar ndaj Los Angeles Galaxy, të përfunduar 1-0, Uzuni e nisi në rolin e sulmuesit të krahut në një skemë me tre sulmues përpara, dy në krahë dhe një tjetër sulmues pykë.

Sipas medias “Club Deportes”, ishte trajneri që ka vendosur një skemë të tillë disa ditë më parë dhe kishte biseduar me sulmuesin shqiptar. Media në fjalë tregon se trajneri i ka thënë Uzunit se kërkonte prej tij në luante në rolin e sulmuesit të majtë dhe se donte Brandon Vazques si qendërsulmues dhe duhej të ishte shqiptari që të sakrifikohej. Gjithashtu “Club Deportes” tregon se trajneri i tha lojtarit se duhej të kuptonte se ekipi është përpara lojtarëve dhe gjithsecili duhet të bashkohet rreth ekipit dhe të jap kontributin e tij. Në fund Uzuni e përmbushi detyrën me sukses duke marrë një vlerësim të lartë ndaj Los Angeles, pavarësisht se nuk ishte në rolin e tij të preferuar. Një temë dhe bisedë e nxehtë është bërë për këtë arsye kur Silvinjo e ka futur Uzunin po në këtë rol më parë te Shqipëria dhe vetë lojtari është shprehur se nuk është roli i tij i preferuar ai i sulmuesit të majtë. /Sport Ekspres/