Është një arritje më vete, Partizani shënon golin e parë kundër Elbasanit, por ndeshja luhet në 27 prill

A bëri mirë Skënder Gega që iku te Partizani në këtë moment? Kjo është një temë e hapur në shumë studio sportive. Në fakt, për Partizanin, kjo ishte goditja më e mirë e mundshme, ndërsa për Skënder Gegën, në një moment të tillë, do të refuzonte çdo ekip tjetër pasi është një mision me risk të madh që të ndikon në CV dhe më kryesorja, pa qenë përgjegjësia jote, por fakti që flitej për Partizanin, bëri që trajneri t’i hynte një aventure të madhe për hir të ngjyrave të tij të preferuara.

Një përgjegjësi e madhe që duket edhe nga mënyra sesi ai po e përjeton, qëndrimi dhe fjetja në klub, mënyra sesi ndikohet para dhe pas një ndeshje, është si të luante vetë në fushë. Partizani do të ketë një ndeshje finale me Elbasanin në datën 27 prill ku do të luajë gjithçka për vendin e katërt dhe i duhet me patjetër fitorja, çdo rezultat tjetër e nxjerr në vendin e pestë.

Por përse Partizani e ka shënuar një gol pa nisur ende ndeshja? Elbasani ka bërë gjithashtu një super kampionat, një ekip simpatik dhe mbi të gjitha, tifozë për t’u duartrokitur. Por me çfarëdo trajneri tjetër, veçanërisht të huaj, Elbasani do ta kishte shumë më thjeshtë t’i jepte shuplakën e fundit Partizanit. Por me Skënder Gegën ndryshon historia dhe kjo vihet re fare lehtë.

Pavarësisht rezultateve të ndeshjeve të fundit, fitoreve por edhe një humbje në derbi dhe kundër Bylisit, tifozët në masën më të madhe janë në mbështetje të ekipit dhe trajnerit. Nëse nuk do të kishte një emër si Skënder Gega në krye në këtë moment që të jepte një besim të madh, edhe vetë tifozët do të kishin më pak shpresa dhe do të kishin një shfaqje tjetër në mendimet e tyre për të shtuar akoma edhe më shumë presionin, që do t’i shkonte në favor Elbasanit. Të ndërgjegjshëm se ekipi i tyre nuk ka kualitet, tifozët e Partizanit shfaqin po ashtu një bindje të madhe që Skënder Gega do ta shpik dhe do ta gjejë një mënyrë sesi të fitohet me Elbasanin dhe e gjitha kjo mendësi pozitive shpaloset edhe në skuadër, për ta bërë akoma edhe më të lehtë marrjen e rezultatit pozitiv. /Sport Ekspres/