“Inter-Roma? Pashë Empolin”, Antonio Konte: Titulli kampion do të ishte një mrekulli

Napoli është shkëptur në +3 pikë në krye të Serisë A, por gara për titullin kampion vazhdon të mbetet e fortë dhe e hapur deri në fund. Antonio Konte ka thënë pas fitores së sotme se Skudetoja do të ishte një mrekulli për të, duke mbetur kështu i kënaqur me sigurimin e një bileteje për në Ligën e Kampionëve. Sa i përket duelit mes Interit dhe Romës, Konte ka zbuluar se preferoi të ndiqte një tjetër ndeshje, atë mes Fiorentinës dhe Empolit.

“Kanë mbetur edhe 4 hapa. Kualifikimi për në Ligën e Kampionëve tashmë është arritur edhe matematikisht. Skudetoja do të ishte një mrekulli. Inter-Roma? Nuk e pashë. Jam duke vuajtur mjaftueshëm për veten, imagjinoni të vuaj edhe për të tjerët. Pashë pjesën e dytë e ndeshjes Fiorentina-Empoli këtë mbrëmje”, ka deklaruar Antonio Konte./Sport Ekspes/