Arijon Ibrahimoviçi ka firmosur rinovimin e kontratës me Bajernin e Mynihut, ku do të provojë shanset e tij në fushën e lojës. Mesfushori shqiptar ka deklaruar së fundmi se është i lumtur për këtë mundësi. Ai ka zbuluar se projektohet të jetë zëvendësuesi i Luis Diazit në krahun e majtë. Sa i përket zgjedhjes së Kombëtares, Arijon Ibrahimoviçi është shprehur se tani vëmendja e tij është vetëm te Bajerni.
“Jam absolutisht i kënaqur që më është dhënë mundësia të luaj për klubin më të madh në botë. Patjetër që dua ta shfrytëzoj sa më shumë këtë mundësi dhe jam jashtëzakonisht i lumtur. Tani kam ndërmend të jap gjithçka në çdo seancë stërvitore.
Mund të jem zëvendësuesi i Luis Diazit në krahun e majtë. Mund të mësoj shumë prej tij, veçanërisht kur bëhet fjalë për lojën e tij një-me-një dhe intensitetin e tij. Dua të kem sa më shumë kohë loje të jetë e mundur. Duhet ta provoj veten këtu. Shpresoj se do të kem shansin tim dhe do ta shfrytëzoj sa më shumë.
Kombëtarja gjermane? Para së gjithash, dua të rregulloj veten këtu, të jap gjithçka nga vetja dhe të luftoj për kohë loje. Do ta shohim se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Jam plotësisht i përqendruar te Bajerni”, ka deklaruar Arijon Ibrahimoviçi./Sport Ekspres/