Nga Klaudio Ndreca
Final Four po afron dhe tani janë përcaktuar katër ekipet që do të jenë pjesë e tij, Egnatia, Vllaznia, Dinamo dhe Partizani. Katër ekipe që pritet të dhurojnë shumë emocione dhe pritet të japin shumë spektakël. Por finalja e Kupës së Shqipërisë, Egnatia-Dinamo, na dha një pasqyrim të lehtë për të kuptuar se çfarë mund të presim në vazhdimësi, në Final Four.
Nuk ishte vetëm një ndeshje Kupe, një trofe i zakonshëm dhe jo me rëndësi jetik, ishte një panoramë ndeshje që tregoi shumë. Egnatia konfirmon edhe njëherë që ka aktualisht ekipin më të mirë në Shqipëri, organikën e lojtarëve më të mirë në Shqipëri, praktikisht lojtarët e stolit të Egnatias janë më të mirë se ndoshta edhe disa prej lojtarë titullarë që kanë këto tre ekipe të Final Four.
Largohet Guindo dhe futet Bakayoko, largohet Bakayoko dhe futet Guindo, në të dyja rastet, është njëra më keq se tjetra për kundërshtarin. Pavarësisht se ka një ekip konkurrues në dorë, ndryshe përshembull nga Partizani që ka një organikë lojtarësh që lë për të dëshiruar, Ilir Daja ka ndërtuar një “mit” që fut frikë psikologjikisht te kundërshtarët.
Me të drejtë, ka shkruar historinë në Europë disa herë, me Skënderbeun eliminoi Dinamon e Zagrebit dhe me Ballkanin shkroi prapë historinë, dy herë rresht në grupet e Conference League. Dhe kjo u pa qartë në ndeshjen e djeshme, thuajse për shumicën e kohës Egnatia ishte e instaluar në portën e Dinamos, por që në minutat e para kishte një përjetim të madh dhe një nervozitet, lojtarët e Egnatias nuk ishin të qetë para portës sepse e dinin që të mundësh ekipin e Ilir Dajës, do shumë punë dhe është një mision i vështirë. Me shumë trajnerë të tjerë të zakonshëm, do ta kishin shumë më të lehtë, jo për skemat e kundërshtarit aq sa për një situatë psikologjike më të lehtë. Thonë se ndeshjet zakonisht fitohen pa u luajtur dhe kundër Dinamos së Dajës, shumë ndeshje humben pa u luajtur.
Kështu ndodhi edhe dje, teksa pasi ishin në portën e Dinamos duke sulmuar pa pushim dhe humbeshin shumë raste të pastra, më pas gjendej një gol pas shumë vuajtjesh, frika pushtonte pak Egnatian se në ato raste që kishte Dinamo në këmbë, topi do ta gjente një mënyrë për të hyrë në rrjetë. Ashtu edhe ndodhi, dy herë, Egnatia kontrollonte ndeshjet, golat i shënonte Dinamo.
Pas minutës së 80 Daja hodhi në fushë gjithë lojtarët me karakteristika mbrojtëse dhe hoqi ata me karakteristika sulmuese, për të ruajtur rezultatin. Por në minutën e fundit, Bakayoko shënoi bukur duke treguar edhe njëherë tjetër cilësitë e tij. Në atë momente ndeshja shkonte me kohën shtesë dhe Daja kishte mbetur me lojtarët me karakteristika mbrojtëse në fushë. Objektivi i tij i vetëm ishte që të dërgonte ndeshjen me penallti, atje ku Egnatia ka vuajtur në ndeshjet e kaluara dhe kështu ndodhi, në ruletën ruse, Dinamo fitoi. Ruleta ruse është gjithmonë fat, por në këtë rast, situata shkoi sipas planit të Ilir Dajës, ishte emri i këtij trajneri që fitoi, jo i ekipit apo i lojtarëve që ai ka.
Për këtë arsye konkluzioni që nxjerrim nga kjo ndeshje është fakti që Egnatia ka në përbërje një super cilësi, por Dinamo është më e avantazhuar për të fituar Final Four. Në fillim, Egnatia duhet të eliminojë një tjetër ekip, që ka një tjetër specialist në kryesim, Skënder Gegën.
Është thuajse e njëjta histori, veçse për fatin e Egnatias, Skënder Gega ka në dorë një ekip që nuk i afrohet cilësisë së lojtarëve që ka Dinamo. Por fakti që luhet gjithçka në një ndeshje, brenda 90 minutash, e bën të mundur një befasi të madhe. Gjysmëfinalja e Kupës e tregoi, pasi Partizani fitoi 1-0 në ndeshjen e parë, Egnatia vuajti shumë për ta dërguar ndeshjen në kohën shtesë dhe për ta eliminuar më pas Partizanin.
Një Partizani që cilësisht është shumë i dobët, por me një trajner specialist për ndeshje të tilla, di të vuajë dhe të menaxhojë situata të tilla ku për 80 minuta duhet të qëndrojë në pritje, megjithatë ato 10 minuta kur ka topin, mund të jenë fatale për kundërshtarin.
Ekipi i Partizanit nuk e ka cilësinë e Dinamos në metrat e fundit, por në një ditë ku fati mund të jetë në anën e tyre, nuk do të ishte çudi që të kuqtë të shkonin në finalen e madhe. Nga ana tjetër është edhe Vllaznia, që në kohët e fundit mund të jap gjithçka, veçse jo një panoramë të qartë të asaj se çfarë mund të dhurojë në një fazë të tillë kaq vendimtare.
Është Vllaznia që shpërthen papritur dhe Vllaznia që zhgënjen po aq shumë, papritur. Në këtë rast, Vllaznia do të jetë elementi i befasisë, i një ekipi me organikë të mirë lojtarësh, por që i ka munguar gjithmonë vazhdueshmëria dhe ka çaluar në vitet e fundit në momentin më vendimtar të sezonit të saj, ashtu si edhe në Europë. Fiton atëherë kur pakkush e mendon dhe humb atëherë, kur të gjithë janë të përgatitur për fitore.
E parë në një prizëm të tillë, të tre ekipet duhet të luftojnë fort që ky titull të mos shkojë në duart e Ilir Dajës, pasi në të kundërt, do të fillojë menjëherë diktatin në futbollin shqiptar dhe me anën psikologjike me vete dhe investimet e shtuara te Dinamo, do të kthente historinë në favorin e saj. Por në të gjitha rastet, duhet që dikush si Dinamo apo Egnatia të arrijnë sa më larg në Europë, për të marrë sa më shumë fitime, në mënyrë që të rritet edhe konkurrenca e përgjithshme në futbollin shqiptar dhe ekipet e tjera të shpenzojnë sa më shumë para. /Sport Ekspres/