A do të largohet nga Shqipëria pas Europianit? Silvinjon e pret tani “furtuna”, tani duhet të qetësojë lojtarë

Shqipëria ka mbyllur rrugëtimin e saj në Europianin e Gjermanisë. Pas humbjes kundër Spanjës, kquezinjtë kanë bërë gati valixhet dhe do të rikthehen në shtëpi. Pavarësisht se spanjollët ndryshuar 10 lojtarë nga 11-sha e tyre, në fund arritën që të fitonin sërish në shifrat 0-1 dhe të na nxirrnin përfundimisht gara, duke mos na lënë të shpresonim për një kombinim fati në rastin e barazimit dhe një pikë të marrë. Kështu mbyllet ky rrugëtim edhe me Silvinjon te Shqipëria, të paktën teorikisht.

Kontrata ka skaduar dhe pas ditësh, Silvinjo do të ulet me kreun e FSHF për të vendosur të ardhmen. Pavarësisht se Armand Duka ishte gati për të bërë rinovimin e kontratës që para nisjes së Europianit, trajneri zgjodhi që ta bënte diskutimin e kontratës pas Gjermanisë. Në fakt tani situata ka ndryshuar disi, nëse më herët askush nuk mund të kritikonte Silvinjos, pas Europianit, kritikat janë shtuar ndjeshëm edhe pse ishim në grupin e vdekjes.

Por a do të vazhdojë Silvinjo te Shqipëria apo do të largohet? Mbetet të shihet, ndërsa ka elementë që mbështesin të dy anët e teorisë dhe që e bëjnë situatën akoma më të pakuptueshme. Në momentin e himnit të Shqipërisë kundër Spanjës, Silvinjo u pa duke kërcitur dhëmbët mes një ngarkesë të madhe emocionale dhe gati në lotim. A ishte kjo ndeshja e fundit për të apo ishte e gjitha një ngarkesë duke ditur që Europianit po i vinte fundit, karshi një rivali si Spanja?

Megjithatë edhe nëse do të vazhdojë te Shqipëria, Silvinjon e pret një furtunë e madhe dhe nuk do ta ketë më rrugën të shtruar me petale trëndafili, ndryshe nga faza kualifikuese. Në fakt edhe në atë moment janë parë disa pakënaqësi nga lojtarët gjatë momenteve të festimit, por kur Shqipëria korri ato rezultate mbreslënëse, nuk mund të bëheshin kurrë publike nga lojtarët pasi do të kryqëzoheshin nga tifozët. Por në këto momente, askush nuk ka frikë për të thënë zërin e tij kundër Silvinjos.

Nëse do të vazhdojë te Shqipëria, fillimisht Silvinjo duhet të zgjidh problemin e katër lojtarëve që nuk i mori në Gjermani, Arbnor Muja, Myrto Uzuni, Sokol Cikalleshi dhe Kedi Bare. Këta futbollistë nuk e kishin një shpjegim nga trajneri në një takim personal, por e mësuan gjithçka nga televizori.

E nëse në konferencat për shtyp Silvinjo mund t’i driblonte pyetjeve për këta lojtarë, tani është momenti i përballjes, ku nuk lejohet më driblimi. Nga krahu tjetër babai i Ardian Ismajlit ka bërë një tjetër reagim të fortë në rrjetet sociale, ku ka shfaqur të gjithë pakënaqësinë e tij për Silvinjon dhe faktin që e la mbrojtësin që e ka përdorur në gjithë kualifikueset, pa e aktivizuar në një ndeshje Europiani.

Pa harruar edhe Ernest Muçin, që pavarësisht se nuk ka folur dhe shpërthyer, është një tjetër çështje e nxehtë. Silvinjo ka shkuar shumë herë në Turqi dhe Poloni për ta takuar dhe për t’i treguar sesa i rëndësishëm është për Shqipërinë, por i përdorur aspak në kualifikuese dhe thuajse zero minuta në Europian, për një lojtar që kërkohet edhe në Premier League, kjo është shumë dhe Silvinjo duhet të përballet edhe me të.

Më shumë se të gjithë duhej të ishte Arbër Hoxha që të diskutonte me Silvinjon për arsyen se përse nuk e nisi një ndeshje si titullar në Europian, megjithatë duke njohur tipin e këtij lojtari dhe faktin që është në fillimet e tij te Kombëtarja dhe shkoi në Gjermani falë Silvinjos, ndoshta diskutimet do të mbyllen.

Por nëse do të mbyllen me Arbër Hoxhën, ka për të diskutuar me Mirlind Dakun. Zero minuta në dy miqësoret e fundit të Shqipërisë para Europianit aq sa u mendua se ishte një skemë e Silvinjos për të goditur kundërshtarët në fazën e grupeve. Nuk e kishte një shpjegim tjetër duke ditur formën e mirë të këtij lojtari dhe karakteristikat e tij të vecantë. Por asnjë minutë ndaj Italisë dhe shumë pak aktivizim ndaj Kroacisë, mund ta bëj edhe Mirlind Dakun që të ketë pyetje me të drejtë ndaj Silvinjos.

Dhe sigurisht, mes të gjithës kësaj liste, është edhe Armando Broja. Pra janë kaq shumë lojtarë që po kalonin një periudhë fantastike dhe Europianin do ta përdornin si një trampolinë për të kaluar në ekipe të mëdha, por pas 3 ndeshjesh Shqipëria është eliminuar dhe Europiani jo vetëm që nuk është përdorur prej tyre për merkaton e verës, por duket se e kanë shijuar si tifoz.

Nëse hedhim një vështrim të përgjithshëm, Silvinjo ka vepruar si ta ketë mbyllur eksperiencën e tij te Shqipëria. Ai ka futur në fushë ata lojtarë që i jepnin garancinë maksimale dhe ka menduar pak për të ardhmen. Si në rastin e mos shpjegimit të lojtarëve që ngelën jashtë këtij turneu, por edhe për faktin se nuk ka aktivizuar futbollistët që ishin pranë bërjes së hapit të madh në merkaton e verës.

Sepse një Shqipëri e eliminuar pasi Muci të shkëlqente, pasi Broja të shkëlqente, pasi Daku të shkëlqente, pasi Hoxha të shkëlqente, do të kishte një tjetër shije. Nëse këta lojtarë do të tërhiqnin vëmendjen e shumë klubeve dhe skautëve në saj të performancave të tyre fantastike dhe do të kalonin në ekipe të mëdha, në të ardhmen Shqipëria mund të përfitonte sërish shumë prej tyre. Por një Shqipëri e tillë, e cila nuk rrezikon dhe kërkon të jetë gjithmonë e mbledhur, tregon se Silvinjo më shumë sesa dëshira për të bërë cmendurinë me kuqezinjtë, kërkonte rezultateve të favorshme për të ndihmuar CV e tij si trajner. Kjo është situata, ku ka jo pak gjasa që Silvinjo të mos rinovojë kontratën, por edhe nëse qëndron si trajneri i Kombëtares, do të jetë si një fillim i ri për të dhe jo një rinisje e punës ku u la. Shqiptarët janë një njerëz pasionant dhe me ego të madhe, Silvinjo duhet të qetësojë kokat dhe zemrat tona të nxehta. Për momentin, duket kaq shumë i lodhur dhe i konsumuar për ta bërë këtë. /Sport Ekspres/