Analizë/ Martini në stilin e Conceicao? Vllaznia duket e kualifikuar në Islandë, Martini di të vallëzojë mes flakëve, por… edhe sa me drama?

Nga Klaudio Ndreca

Vllaznia do të luajë në transfertë në mbrëmjen e nesërme kundër Vikingur Reykjavik, me ndeshjen e parë që shkoi në përmbysje dhe shkodranët fituan në shifrat 2-1. Për atë mbrëmje, gjithçka ishte magjike dhe ajo fitore ishte si një kualifikim i parakohshëm, por nëse flasim tani, rreziku i eleminimit është më i madh se siguria e kualifikimit. Për cdo ekip tjetër shqiptar, gjasat do të ishin më të mëdha për t’u eleminuar në Islandë, por për Vllazninë jo, vecanërisht ajo e Martinit, premton kualifikimin për disa arsye që do t’i shpjegojmë më vonë.

Ekipet islandeze kanë një karakteristikë, e kanë shumë të vështirë të luajnë futboll në ajër tjetër, jashtë shtëpisë së tyre, asfiksohen aty. Këtë e di mjaft mirë edhe Egnatia që e mundi Breidablikun 1-0 në shtëpi dhe më pas u turpërua 5-0 në transfertë. Po i njëjti Breidablik që pak më vonë u poshtërua 7-0 nga Lech Poznani në transfertë.

Po ashtu edhe Vikinguri i Vllaznisë që me Malishevën fitoi ngushtë 0-1 në Kosovë dhe e shkatërroi në shtëpi, 8-0. Gjithashtu në sezonin e shkuar Egnatia fitoi 1-0 me Vikingur në shtëpi, por humbi 2-0 në transfertë. Pra në të gjitha këto shifra, flitet qartë se islandezët ndryshojnë tërësisht marshin kur luajnë në shtëpi dhe kanë një fytyrë tjetër kur luajnë në transfertë.

Për këtë arsye thamë se për çdo ekip shqiptar në një fitore 2-1 në shtëpi, eleminimi në Islandë në ndeshjen e kthimit do të ishte i sigurt. Por përse jo për Vllazninë e Martinit? Sepse ky trajner e ka treguar deri tani te Vllaznia se i pëlqejnë këto ndeshje, se janë në stilin e tij të preferuar dhe i pëlqen që të vallëzojë mes flakëve, mes vuajtjet dhe rrezikut, për të marrë fitore me karakter.

Pasi humbi 0-1 në shtëpi ndaj Daugvapils, modestëve që befasuan në Shqipëri, e përmbysi ndeshjen në transfertë. Vllaznia shënoi e para, vendasit përmbysën dhe Vllaznia e përmbysi sërish rezultatin duke kaluar më tej, jo pak, por 2-4. Gjithashtu edhe me Vikingur, islandezët vinin nga një fitore e thellë dhe frikësimi, 8-0 me Malishevën, kaluan të parët në avantazh me Vllazninë dhe shkodranët e përmbysën sërish, 2-1.

Pra edhe nëse Vikinguri shënon i pari në Islandë, e sigurt është që Vllaznia e Martinit do ta gjejë mënyrën sesi t’ia dalë për të kaluar edhe në këtë tur, për ta siguruar edhe këtë tur kualifikimi, çka do të ishte një sukses i madh për këtë skuadër dhe për këtë trajner.

Por frika më e madhe është kjo: “A do të jetë Martini te Vllaznia në stilin e Conceicao-s te Milani?”. Conceicao kishte një stil ku ndeshjet e mëdha i fitonte dhe shpesh ishte spektakolar për të bërë përmbysje, thuajse të gjitha ndeshjet që Milani i fitonte në kohën e tij, vinin nga disavantazhi, 0-1 në 2-1 ose 0-2 në 3-2. Por shumë pikë të tjera Milani i linte rrugës dhe nuk e kishte kurrë mundësinë që të fitonte një ndeshje qetësisht, për të shënuar të parët, për të thelluar pak më shumë rezultatin dhe për të qëndruar i qetë deri në fund.

A do të jetë edhe ky rasti i Martinit? Te Vllaznia urojnë që jo, duke mbajtur sigurisht pjesën e mirë të fitoreve të karakterit dhe përmbysjeve spektakolare. Prova në Islandë duket se do të kalohet nga Vllaznia, por prova e vërtetë e Vllaznisë së Edi Martinit, ajo e fundit e ngelura, do të fillojë atëherë kur fitorja është detyrim për Vllazninë, nëse mund të marrin fitore të qeta pa e bërë situatën më dramatike.

Deri tani treguesit janë paksa dyshues pasi Vllaznia e humbi ndeshjen në shtëpi që ishte e dënuar për ta fituar me Daugvapils dhe kundër Vikingur, shkoi në disavantazh dhe më pas e përmbysi. Përmbysjet tregojnë forcën e karakterit dhe veçorinë e një kampioni, por ato të ardhur shpesh, tregojnë të kundërtën e luhatjeve drastike brenda 90 minutave dhe nuk duhet të jetë ky rasti i Vllaznisë. Do të ishte mirë që Vllaznia nesër të fitonte ndaj Vikingur duke shënuar e para dhe duke mbrojtur rezultatin, pa pësuar, pa bërë drama të tjera dhe pa shqetësuar dhe tensionuar më shumë zemrat e shkodranëve.

Deri atëherë, shënjat tregojnë se Vllaznia mund të eleminohet nga Conference League më shumë në një moment kur askush nuk e pret sesa në një moment të tillë, kur eleminimi është më shumë i pritshëm. /Sport Ekspres/