Barcelona është e gatshme të shqyrtojë largimin e Ferran Torres gjatë merkatos së verës, por vetëm nëse arrin të sigurojë një zëvendësues të nivelit të lartë. Sipas raportimeve të fundit, klubi katalanas po punon për një marrëveshje shkëmbimi me Paris Saint-Germain, ku Torres do të kalonte në Francë, ndërsa Bradley Barcola do të vishte fanellën blaugrana.
Në të njëjtën kohë, e ardhmja e Raphinhas mbetet e hapur. Al-Hilal ka rikthyer interesimin për brazilianin dhe i ka paraqitur një tjetër ofertë. Megjithatë, sulmuesi i ka bërë të qartë klubit saudit se dëshiron të qëndrojë te Barcelona. Pavarësisht kësaj, merkatoja është ende e gjatë dhe situata mund të ndryshojë në javët e ardhshme.
Nëse realizohen këto lëvizje, Barcelona do të kishte për herë të parë pas shumë vitesh nga dy futbollistë të nivelit të lartë për çdo pozicion në repartin ofensiv. Lamine Yamal do të kishte konkurrencë të fortë në krah, ndërsa ardhja e Barcolës do t’i jepte trajnerit më shumë alternativa në fazën sulmuese. Gjithashtu, drejtuesit vazhdojnë të monitorojnë edhe profile të tjerë si Mikel Oyarzabal, i cili mbetet një opsion për të përforcuar më tej skuadrën.
Përveç ndryshimeve në sulm, Barcelona pritet të ndërhyjë edhe në repartin defensiv, me objektivin për të ndërtuar një skuadër më të balancuar dhe më konkurruese për sezonin e ri. Merkatoja e katalanasve premton të jetë ndër më interesantet e kësaj vere. /Sport Ekspres/