“Besojmë te kualifikimi, mund ta dëmtojmë Argjentinën”, trajneri i Kepit të Gjelbër ‘injoron’ Mesin: Nuk luajmë vetëm kundër tij, strategjinë e bëj për ekipin

Kepi i Gjelbër është befasia më e madhe e këtij Botërori. Të pamposhtur në një grup me Spanjën, Uruguajin dhe Arabinë Saudite, lojtarët e skuadrës afrikane tashmë do të përballen me Argjintinën në fazën me eleminim direkt. Pavarësisht se përballë do të kenë kampionët në fuqi të botës dhe një nga lojtarët më të mirë të të gjitha kohërave, te Kepi i Gjelbër nuk frikësohen. Trajneri Pedro Leito Brito ka thënë në konferencë për shtyp se ndaj Argjentinës do të luajnë për të fituar dhe se kanë përgatitur strategjinë për këtë sfidë.

“Kemi besim dhe bindje dhe kjo është shumë e dobishme. Do të jemi të guximshëm dhe do të luftojmë për kualifikimin. Duam që lojtarët ta shijojnë ndeshjen, por të jenë të përqendruar dhe të bëjnë gjithçka për të kaluar në fazën tjetër. Sigurisht që besojmë. Besojmë te vetja dhe te pikat tona të forta, te lojtarët tanë dhe te skuadra jonë. E dimë që kjo do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, por mund ta dëmtojmë kundërshtarin. Jemi të guximshëm dhe ambiciozë dhe do të luajmë për të fituar.

Ne si ekip kemi strategjinë tonë, jo vetëm kundër Mesit, por kundër të gjithë ekipit. Ata janë kampionët aktualë të botës dhe një nga ekipet më të mira në turne. Do të luajmë kundër të gjithë ekipit. E dimë që Mesi është një nga lojtarët më të mirë në botë, por ne luajmë kundër të gjithë ekipit.

Të ashtuquajturat ekipe të vogla kanë treguar se mund të konkurrojnë në të njëjtin nivel loje me të ashtuquajturat ekipe superiore. Kjo tregon vetëm se edhe ekipet e vogla mund të përballen me ndeshjet më sfiduese. Argjentina do të jetë sfiduese për ne, por ne duam që të jetë sfiduese edhe për ta. Ne jemi këtu me meritë. Në tre ndeshjet e fundit kemi treguar se mund të konkurrojmë në një nivel të lartë. Ne e dimë cilësinë e kundërshtarit tonë, por kemi edhe ëndrrën tonë”, ka thënë Pedro Leitao Brito./Sport Ekspres/