Çudira shqiptare! Vendimet për paligjshmëri nuk quhen se po luan Shqipëria në EURO24, KOKSH nuk e njeh fare CAS-in

Çudira shqiptare! Vendimet për paligjshmëri nuk quhen se po luan Shqipëria në EURO24, KOKSH nuk e njeh fare CAS-in

Pak ditë më parë, Gjykata e Arbitrazhit për Sport (CAS) ka vendosur në favor të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), teksa përmbysi vendimet e marra gjatë Asamblesë së Jashtëzakonshme të KOKSH, të mbajtur në 10 janar 2021. Pikat e vendimit ishin mjaft të qarta:

  1. Vendimet e Asamblesë së KOKSH shpallen të pavlefshme: CAS ka shpallur të pavlefshme vendimet e marra në Asamblenë e Jashtëzakonshme të KOKSH e cila kishte miratuar statutin e ri. Kjo përfshin ndryshimet në statutin e KOKSH shkarkimin e Presidentit dhe zgjedhjen e anëtarëve të rinj të komisionit të verifikimit.
  2. Parregullsi Procedurale: CAS konstatoi se KOKSH nuk njoftoi siç duhet FSHF-në për asamblenë dhe lejoi pjesëmarrjen dhe votimin e personave që nuk ishin anëtarë. Këto veprime shkelën procedurat e përcaktuara dhe të drejtat e FSHF-së si federatë anëtare.
  3. Mbrojtja e të drejtave të FSHF-së: Duke përmbysur vendimet e asamblesë, CAS ka vendosur në vend të drejtat e FSHF-së për të marrë pjesë dhe për t’u njoftuar rregullisht për asambletë e KOKSH, duke siguruar përfaqësim dhe vendimmarrje të drejtë.
  4. Rimbursim Financiar: KOKSH është urdhëruar të paguajë 4,000 CHF për shpenzimet ligjore të FSHF-së dhe të mbulojë 90% të kostove të arbitrazhit, duke reflektuar rëndësinë e shkeljeve procedurale.

Por pavarësisht këtij vendimi, KOKSH nuk pyet më as për shkallën më të lartë ndërkombëtare të drejtësisë sportive. Pra, sipas këtij vendimi të CAS, vendimi për të shkarkuar presidentin e asaj kohe Viron Bizhanin dhe zgjedhja e anëtarëve të rinj të Komisionit të Verifikimit për zgjedhjet e reja ku doli si fitues Fidel Ylli, ishin të paligjshme dhe të pavlefshme.

Kështu çdo vendim i marrë nga ajo kohë e më tej në KOKSH, ishin tërësisht të parregullta. Por ky institucion, përfitoi jo pak nga fakti që në kohën kur doli lajmi, Shqipëria po luante në EURO24 dhe çdo gjë u harrua dhe nuk iu dha rëndësi e madhe, ndërsa vetë instutcioni nuk doli me një deklaratë reagimi.

Por sikur të mos mjaftonte kjo, KOKSH shkon një hap më tej. Ajo u ka dërguar një komunikim të gjithë Federatave Anëtare se do të kenë një Asamble të zakonshme në datën 29 qershor. Pra, ky organizim është tërësisht jo normal dhe i paligjshëm, duke dalë hapur kundër vendimit të CAS. Nga ana tjetër është vërtet për t’u habitur fakti se nuk ka reagim as nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, që duke mos reaguar në një moment të tillë, inkurajon KOKSH për të shkelur me të dyja këmbët një vendim që është marrë nga organizata  më e lartë ndërkombëtare e drejtësisë sportive. Çudira shqiptare… /Sport Ekspres/