Fortesa Berisha është vetëm 21 vjeçe dhe mund të thuhet pa asnjë diskutim se është një nga futbollistet më të talentuara të ekipit Kombëtar të vajzave. Pak fjalë, kokëulur, shumë punëtore, e palodhur në çdo stërvitje, e shpejtë dhe e vendosur për të shënuar gola apo asistuar në çdo ndeshje me vajzat kuqezi, Fortesa ka spikatur që në ditën e parë të grumbullimit me Shqipërinë e vajzave.
Në një rrëfim për rubrikën “Talenti Shqiptar” në fshf.org, sulmuesja shqiptare tregon se luan futboll prej 8 vitesh, një ëndërr dikur e babait të saj, dëshira e të cilit ka qenë të ishte një futbollist i madh. Tashmë, ai shijon suksesin e të bijës, e cila me shumë punë ka arritur brenda pak vitesh të jetë një nga futbollistet kryesore në skuadrat ku ka luajtur dhe te Kombëtarja shqiptare. Dy herë kampione me Hajvalinë dhe Vllazninë, tashmë sulmuese kryesore e Malishevës dhe Shqipërisë, Fortesa tregon se fillimi për të ka qenë shumë i vështirë, por ia ka dalë mbanë falë mbështetjes së familjes dhe miqve.
Dikur pjesë e grupmoshave të Kosovës, sot pjesë e Kombëtares së Shqipërisë, Fortesa Berisha rrëfen se ka realizuar ëndrrën e saj për të luajtur për ekipin kuqezi dhe është e lumtur që ka qenë shënuar gola të rëndësishëm në kualifikueset e Kampionatit Europian “Zvicër 2025” me Shqipërinë.
Më poshtë intervista e plotë e Fortesa Berishës, dhënë për faqen zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit:
Çfarë ju ka shtyrë të përfshiheshit në botën e futbollit? Sa vjeçe ishit kur nisët të luanit? Në lagje, jeni aktivizuar direkt në një ekip apo?
– Kam qenë 13 vjeçe kur kam nisur të luaj futboll. Në fakt ka qenë dëshira e babit që unë të bëhem futbolliste, pasi ai dikur ka pasur ëndërr që të bëhej një futbollist i madh. Në fillim, ashtu si çdo fëmijë edhe unë kam nisur të luaj në lagje dhe më pas jam bërë pjesë e klubit të futbollit të Malishevës, ku vazhdoj të luaj edhe sot e kësaj dite.
-Na tregoni pak për hapat e tua në karrierë, ku e nisët dhe si vazhdoi gjithçka? Cili ka qenë ekipi juaj i parë?
– Siç ju thashë më sipër, skuadra ime e parë dhe aktuale është ajo e Malishevës. Jam shumë e kënaqur, pasi jam pjesë e ekipit që kur kam qenë mjaft e vogël. Gjatë rrugëtimit tim në futboll kam luajtur edhe për skuadra të tjera si KFF Hajvalia, ekip me të cilin jemi shpallur edhe Kampione në Kosovë. Në sezonin që lamë pas isha pjesë e ekipit të KFF Vllaznia, ku edhe me këtë skuadër jemi shpallur Kampione të Shqipërisë. Jam shumë e lumtur për rrugëtimin tim deri më tani në futboll.
– Sa të vështirë është për ty të merresh edhe me futbollin, edhe me shkollën, edhe të dalësh me shoqërinë. Si e bën këtë ndarjen? Ke ‘hequr dorë’ nga shkolla për futbollin?
– Sigurisht që fillimi ka qenë i vështirë. Duhet të përqëndrohesha te shkolla, në të njëjtën kohë duhet të stërvitesha dhe të luaja ndeshjet në kampionat. Dëshira ime ka qenë që t’i ndiqja të dyja dhe ashtu kam bërë në fakt. Me kalimin e kohës jam adaptuar dhe ia kam dalë që t’i bëj të dyja shumë mirë, edhe shkollën edhe futbollin.
-Për vajzat nuk është e lehtë të merren me futboll, po për ju si ka qenë? Kush ju ka mbështetur më shumë? Familja? Shoqëria? Kush ka qenë më shumë skeptik në familje, mami apo babi?
– Më vjen mirë që vitet e fundit kanë ndryshuar shumë gjëra për mirë në futbollin e vajzave. Vetëm mentaliteti ka ndikuar shumë jo vetëm tek unë, por edhe te shoqet e mia. Tashmë mund të them se e ndjejmë vërtetë veten pjesë të këtij sporti, luajmë lirisht pa frikën se dikush mund të thotë se futbolli është një lojë djemsh.
Fatmirësisht, që në ditën time të parë kur kam shkuar në stërvitje, kam pasur mbështetjen e familjes sime dhe të gjithë shoqërisë, pavarësisht se mami ka qenë paksa skeptike në fillim dhe e ka pasur disi problem që unë të luaja futboll. Por, babi im, ai ka qenë përkrahësi më i madh dhe vazhdon të jetë. Gjithashtu, përmes kësaj interviste dua të falënderoj edhe trajnerin tim Valmir Krasniqi, i cili më ka mbështetur që në hapat e mi të parë.
– Keni ndonjë idhull, futbollist apo futbolliste që ju motivon?
– Futbollisti im i preferuar është Cristiano Ronaldo.
-Sa ka ndikuar futbolli te ju, në çdo aspekt të jetës? Ju kanë parë ndryshe apo diçka tjetër? Ju ‘kanë larguar’ nga shoqëria, apo asgjë nuk ka ndryshuar.
– Përveçse një sport i shëndetshëm, futbolli më ka bërë që të kem më shumë shokë e shoqe, të njoh njerëz të rinj, të cilët janë kthyer më duhet të them se janë kthyer në persona shumë të rëndësishëm në jetën time. Ndryshe? Jo, nuk jam paragjykuar asnjëherë nga shoqëria. Më kanë mbështetur dhe i falënderoj që më kanë qëndruar afër në çdo sfidë që kam pasur në jetën time. Jua thashë edhe më sipër, fatmirësisht mentaliteti ka ndryshuar dhe ne e ndjejmë vetën pjesë të këtij sporti po njëlloj sikurse edhe djemtë.
-Ju jeni pjesë e kombëtares shqiptare. Çfarë domethënie ka për ju? Çfarë emocionesh ju jep të luani për Shqipërinë?
– Nuk do të doja ta mbyllja me thjesht dy fjalë ‘No comment’. Të luash për Shqipërinë është një ndjenjë e papërshkrueshme, është një ëndërr që çdo futbollist e futbolliste besoj. Është emocion që kur përjetohet, nuk ndërrohet me asgjë.
– Si e more ftesën për të përfaqësuar Shqipërinë? Si e mban mend herën e parë te Kombëtarja? Çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje atëherë?
– Ftesën e Kombëtares shqiptare e kam marrë përmes trajnerit të ekipit të Malishevës, profesor Valmirit. Ka qenë trajneri Amir Grima ai i cili ka biseduar me ta dhe mua më është bërë një ftesë që unë e kam pranuar. Më parë kam qenë pjesë e grupmoshave të Kosovës. Çfarë më ka bërë përshtypje? Rregullat, disiplina, loja, dhe besimi janë gjërat kryesore që më kanë bërë përshtypje tek Kombëtarja e Shqipërisë.
– Ke shënuar gola vendimtare per Kombetaren shqiptare ne keto kualifikuese. Çfarë emocionesh ke kur shenon per Shqiperine?
– Kam shënuar gola vendimtarë në Evropian, gjithsej 3 gola, dhe jam shumë e lumtur që kam mundur të ndihmoj Kombëtaren me gola dhe asiste. Të shënosh për Kombëtaren është emocion që të ringjall çdo ndjenjë për futbollin dhe të motivon që të bësh më shumë për Kombëtaren dhe ekipin.
-Çfarë mesazhi i jep vajzave që u thuhet se futbolli është vetëm për djem?
– Vajzave u them të punojnë fort, të ndërtojnë ëndrrën e tyre dhe të mos e lënë ëndrrën vetëm ëndërr. Futbolli nuk është vetëm për djem. Futbolli është për të gjithë.
– Çfarë synimesh ke për të ardhmen?
– Synimet për të ardhmen janë të luaj në ndonjë ligë evropiane dhe të kualifikohem me Kombëtaren e Shqipërisë në Evropian.