Kur flasim për Kristjan Asllanin, si një thesar dhe talent të Kombëtares, edhe kritikat që bëhen për të janë dashamirëse pasi kërkojmë që ta shohim në nivele të larta, në mënyrë që të kontribuojë sa më mirë edhe për Shqipërinë.
Tashmë është e qartë se pjesëmarrja e tij te Interi nuk e rrit më tepër mesfushorin, që vuan presionin e madh dhe minutat e pakta, duke bërë që t’i humb sadopak besimi në vete. Kjo shihet qartë teksa edhe në momentet më të vështira të Shqipërisë, Asllani nuk e merr dot përsipër ekipin mbi shpatulla për t’i dhënë qetësi.
Ndërkohë në momentet më të mira të Shqipërisë, ai është aty për të dhënë një klas më shumë. Për këtë arsye largimi shihet si zgjedhja më e mirë dhe kalimi i tij në një klub më të vogël do të ishte ideale, pasi atje do të kishte më pak presion dhe njëkohësisht më shumë minuta.
Sipas mediave italiane janë tre ekipe të Serisë A që e kërkojnë Asllanin. Më e interesuar është Bologna që është gati të jap një ofertë dhe njëkohësisht një ofertë shkëmbimi për Asllanin. Njëkohësisht edhe Torino po e sheh si një mundësi për të zëvendësuar Samuele Ricci që po kërkohet nga Interi dhe Milani. Në fund, në garë është edhe Fiorentina e ndjek prej kohësh Asllanin, ndërsa Interi mund të pranojë një ofertë prej 18 milionë eurosh për shqiptarin. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/