Dramë për titullin në Serinë A/ Napoli dështon ndaj Parmës, por Interi nuk fiton dot! Zikaltërve i anullohet goli i fitores në minutën e 97

Dramë e madhe për titullin kampion në Serinë A. Napoli ka dështuar të bëjë detyrën në transfertën me Parmën. Të kaltrit kanë barazuar 0-0, duke lënë 2 pikë mjaft të vlefshme në renditje. Një dhuratë e bukur e Parmës për Interin, i cili nga ana tjetër nuk mundi ta shfrytëzonte dot. Zikaltrit kanë humbur shansin për të rimarrë kreun një javë para fundit të kampionatit, pasi janë ndalur sot në një barazim 2-2 nga Lacio.

Skuadra e Inzagit ishte duke udhëhequr deri në minutën e 90, kur Pedro tundi rrjetën dhe i dërgoi shifrat në baraspeshë. Arnautoviçi tundi rrjetën në minutat e fundit të lojës, por VAR-i i mohoi festën sulmuesit austriak. Kështu Interit i iku fitorja nga duart, duke mbetur sërish një pikë pas Napolit në tabelën e renditjes në Serinë A./Sport Ekspres/