Sot është mbyllur java e rregullt e Superiores. Tirana ka shpëtuar dhe do të jetë në Play Out, për të mos rënë direkt nga Superiorja pas 36 javëve. Bardheblutë kanë bërë sot detyrën duke fituar 0-2 ndaj Dinamos dhe do të presin fituesin e Pogradeci-Besa për t’u përballur për biletën e Superiores në sezonin tjetër.
Partizani ka fituar 2-0 ndaj Elbasanit për të marrë biletën e Europës dhe Final Four. Elbasani vinte i avantazhuar në këtë takim pasi i mjaftonte edhe barazimi, por ekipi i Skënder Gegës ka fituar bindshëm dhe me paraqitjen në fushë, për të qenë pjesë e Final Four. Një rezultat që merr shumë vëmendje ai i Skënderbeu-Bylis, 1-2, teksa me këtë fitore ballshiotët shpëtojnë, por hedhin korçarët në Kategorinë e Parë. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve në “RTSH Sport”:
Bledi Shkëmbi (Tirana): “Jemi në një situatë që duhet të gëzohemi për momentin, por kemi edhe një javë tjetër vuajtje, edhe një 90 minutësh lufte. Sot më kënaqin tre pikët, sot kishim një grup të cunguar, gjatë gjithë javës jemi me stërvitur vetëm me 12 lojtarë. E dinim cilësinë e Dinamos, prandaj i falëm pak qarkullim, për të pasur rinisiet tona. Duhej të bënim pak më shumë presion. Sinqerisht kemi kaluar dy tre ditë shumë problematike para kësaj ndeshje me dëmtime dhe gjendje gripale. Kemi pasur shumë stres dhe tension”.
Moreiro (Laci): “Sot është një ditë e trishtë, Laci nuk e meritonte rënien nga Superiorja. Nuk e meritonim në nivelin e lojës. Nuk ka qenë ndonjë ekip që e ka ulur poshtë Lacin në nivelin e lojës. Eksperienca në Shqipëri ishte e rëndësishme, kam njohur lojtar të rinjë dhe kam vendosur eksperiencën time në dorë të lojtarëve. Klubi më ka lejuar të punojë lirisht. Ka pasur edhe shumë vendime që nuk kanë qenë të duhurat, penalltia me Dinamon, me Egnatian. Nuk akuzoj njeri, unë e pranoj verdiktin. Kemi bërë edhe shumë gabime individuale”.
Skënder Gega: “Këto pesë javë te Partizani ka qenë si 5 vite. Shumë presion, jo nga drejtuesit, por nga përgjegjësia te Partizani. E mora në një situatë të tillë. Jam shumë i lumtur për lojtarët, për klubin, për tifozët, prandaj jam këtu. Misioni vazhdon, por tani jemi më të qetë. Jam i lumtur dhe falenderues për të gjithë ata që besuan, Gaz Demi që më thirri në një moment që nuk i thoja dot jo, thjesht kisha ato dilemat e mia nëse do ia dilnim apo jo. Ky është futbolli, për 3 ditë ndryshon opinioni për mua, për lojtarët, pas 3 ditësh do të ndryshojë prapë. Për ndeshjen ndaj Egnatias u hodh shumë mjegull, nuk është cdo gjë e errët, ne bëmë mirë deri te ai goli i pësuar. Morëm anën e mirë të asaj ndeshje dhe e rritëm. Nuk është merita ime, lojtarët e dërguan Partizani deri këtu”.