Dy sezone pa fituar trofe? Presidenti i Real Madridit gjen shkakun: Na vrau Kupa e Botës

Reali i Madridit po kalon një periudhë të vështirë. “Los blancos” nuk kanë mundur të fitojnë trofe në këto dy sezonet e fundit. Sezoni që sapo lamë pas ishte zhgënjyes për madrilenët, të cilët patën probleme të mëdha edhe në dhomën e zhveshjes. Në një deklaratë për mediat, presidenti Florentino Perez është shprehur se Kupa e Botës për klube ishte shkaku i dështimit në këtë sezon. Mungesa e fazës përgatitore solli si asnjë herë më parë, 28 dëmtime në ekip.

“Dy sezone pa fituar trofe? Në sezonin 2024/25 thjesht nuk fituam. Luftuam, por nuk fituam. Këtë vit Kupa e Botës për klube na vrau, sepse nuk bëmë një sezon parapërgatitor. Pasi mbaruam La Ligën, shkuam direkt të luanim në Kupën e Botës për Klube dhe pasi mbaruam atë erdhëm këtu për të nisur sërish garat. Nuk bëmë parapërgatitje. Kështu, 3-4 muaj më vonë patëm 28 dëmtime në ekipin e parë dhe kjo nuk është normale. Nuk kam përjetuar diçka të tillë në jetën time si president i Real Madridit. Por nga këto gjëra mëson”, ka thënë Florentino Perezi./Sport Ekspres/