E çfarë i ndodh shqiptarëve me islandezët? Duken si ekipet e Serisë A, 15-1 rezultati i 4 ndeshjeve, nderi në duart e Shkodrës

Ekipet shqiptare e kanë mbyllur turin e parë në Europë, në të gjitha kompeticionet e mundshme. Ajo që është në kufijtë e së pabesueshmes është diferenca e madhe që kanë ekipet e Islandës me ekipet shqiptare. Islanda, një vend tërësisht i vogël, duket sikur të jetë Serie A para skuadrave shqiptare.
Pak ditë më parë, në dy ndeshje të luajtura, Brediabliku mundi Egnatian me rezultatin total të dy ndeshjeve 5-1. Kështu kampionët e Shqipërisë u eliminuan nga Champions League pa futur ende mirë këmbët.

Megjithatë kishte vend edhe për më keq, pasi Malisheva humbi 0-1 në shtëpi me Vikingur, në transfertë humbi në shifrat 8-0. Diferencat nuk ekzistonin në letër, madje sipas Transfermarkt, Malisheva vlente pak më shumë sesa Vikingur. Ndërkohë në fushë, poshtërimi ishte i madh dhe islandezët duken vite dritë larg skuadrave shqiptare. Megjithatë nderi mbetet në duart e Vllaznisë pasi në turin e dytë të Conference League, shkodranët do të përballen pikërisht me Vikingurin që turpëroi Malishevën. /Sport Ekspres/