Wesley Sneijder ka dhënë një vlerësim të rëndësishëm për Cristian Chivun, duke shprehur bindjen se ish-shoku i tij i skuadrës te Interi ishte i destinuar për një karrierë të suksesshme në pankinë.
Ish-mesfushori holandez foli për Chivun gjatë një eventi të organizuar nga Betsson dhe kujtoi periudhën kur të dy ishin pjesë e Interit. Sneijder zbuloi se rumuni fliste vazhdimisht për futbollin dhe se që atëherë kishte kuptuar se ai kishte potencial për t’u bërë trajner.
“Chivu fliste gjithmonë për futboll. Ai jeton për futbollin. E kuptova menjëherë se do të bëhej një trajner i madh. Më kishte thënë se dëshironte të bëhej trajner pasi të përfundonte karrierën”, u shpreh Sneijder.
Holandezi, megjithatë, theksoi se të jesh një futbollist i madh nuk do të thotë automatikisht se do të jesh edhe trajner i suksesshëm. Chivu, sipas tij, ka dëshmuar se ka cilësitë e nevojshme për këtë profesion.
Chivu mori drejtimin e Interit në një moment delikat, pas largimit të Simone Inzaghit dhe humbjes së finales së Champions League. Megjithatë, ai arriti të bindë kritikët dhe të udhëheqë skuadrën drejt titullit kampion në Itali. /Sport Ekspres/