E FUNDIT/ Muçi shënoi një nga golat më të bukur në historinë e Kombëtares, kuqezinjtë fitojnë bindshëm ndaj Finlandës

Festë në “Air Albania”. Shqipëria triumfon pastër 2-0 ndaj Finlandës. Ernest Muçi tregoi sërish se është lojtari i momentit te Kombëtarja shqiptare. Sulmuesi i Trabzonsporit zhbllokoi shifrat në minutën e 35 të lojës. Sigurisht që këmbët e tij nuk mund të prodhojnë gola normalë. Një goditje me të jashtmen e ndali topin në trekëndësh, duke bërë që tifozët të shijonin një nga golat më të të bukur të historisë së Kombëtares.

Ndërkohë goli i dytë mban firmën e Rei Manajt. Hysaj dha një krosim si me telekomandë në minutën e 50 të takimit, që u shfrytëzua më së miri nga Manaj. Kuqezinjtë provuan disa herë të gjenin edhe golin e tretë, por pa sukses. Ndeshja përfundoi me shifrat 2-0 dhe tashmë kuqezinjtë udhëheqin grupin në Ligën C./Sport Ekspres/