Partizani bie në Korçë. Të kuqtë janë larguar me një humbje minimale 0-1 nga juglindja. Ishte një penallti në minutën e 38 të takimit ajo që i dha fitoren Skënderbeun. Dean Liçoja u tregua i saktë nga 11 metrat, megjithëse përballë kishte një mjeshtër në pritjen e penalltive, si Alban Hoxha. Portieri i Partizanit e kuptoi krahun e goditjes, por nuk mundi të shmangte dot golin.
Bardhekuqtë aritën të dërgonin sërish topin në rrjetë në minutat e fundit të kohës së rregullt, por këtë herë pozicioni nuk ishte i rregullt dhe goli u cilësua i pavlefshëm. Me këtë fitore Skënderbeu ka kapur Tiranën në tabelën e renditjes, ndërsa ‘final four’-i tashmë është vetëm 1 pikë larg. Pas përfundimit të ndeshjes, trajnerët kanë dhënë përshtypjet e tyre të para për emisionin “Skaner Superiore” në “MCN TV”.
Shehi (Partizani): “Ishte një ndeshje me dy tablo. Në pjesën e parë kishim pak vështirësi. E humbëm ndeshjen nga një episod, nga një penallti. Pjesa e dytë ishte komplet ndryshe nga e para. Cara na kushtëzon shumë, sidomos për mënyrën se si luajmë. Dje morëm përgjigje negative për Magetin, që s’mund të ishte në fushë. Edhe ai na sjell pështjellim. Mensaja na doli shumë shpejt dhe Bintsukaja nuk është në formën e tij optimale. Por nuk kam dalë këtu që të qaj për mungesat. Mërzitja është prezente, sidomos kur humb ndeshjen. Më vjen keq që luajmë me dy tablo. Kur hyn në pjesën e dytë në disavantazh, edhe qartësia sa vjen e venitet”.
Gvozdenoviç (Skënderbeu): “Në këto ditë kishim dy ndeshje shumë të forta, kundër Dinamos dhe Partizanit. Sot ishim shumë mirë psikologjikisht. Partizani ishte i fortë në ajër. Ne ishim përgatitur për topin e gjatë. Jemi të kënaqur. Sot Dejani (Liço) ishte pak më afër te porta. Ishte në një pozicion si 10-sh. Sot ka bërë një ndeshje shumë të mirë teknikisht. Ne shikojmë vetëm javë për javë. Kam ekip shumë të talentuar. Po fitojmë përvojë, por ende jemi skuadër e re. Do bëjmë pushim nesër, do festojmë sot pak dhe më pas kemi një javë të vështirë kundër Laçit. Nuk mund të flasim për ‘final four’-in ose të flasim për poshtë. E vonuam edhe ne pak lojën, por ishte pjesë e taktikës së lojës”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/