Mision i përmbushur me sukses për Egnatian. Kampionët e Shqipërisë kanë mposhtur ne shifrat minimale 1-0 Breidablikun. Një ndeshje e dominuar nga rrogozhinasit, te cilët flirtuan shpesh me golin, por e gjetën rrugën e rrjetës vetëm në minutën e 92-të. Ishte afrimi më i ri në merkato ai i cili i dha fitoren Egnatias. Bëhet fjalë për Ildi Grudën, që debutoi me gol për rrogozhinasit.
Një fitore e merituar për kampionët e “Abissnet Superiore”-s, që hedhin një hap drejt turit të dytë kualifikues të Champions League-s. Megjithatë, për të mbëritur deri aty, duhet të marrin një rezultat pozitiv edhe në ndeshjen e kthimit në Islandë.
Por edhe ky rezultat shërben për t’i bërë një nder të madh Shqipërisë. Për shkak të dështimit me sukses të shumë skuadrave shqiptare që pas daljes nga skena të Skënderbeut nga Europa, pikët e kampionatit shqiptar kanë rënë shumë në Europë. Por me këtë fitore të Egnatais sot, Shqipëria fiton një pozicion në renditjen e përgjithshme duke shkuar në vendin e 45, për të parakaluar Luksemburgun mes 55 shteteve në Europë. Një tjetër fitore e Egnatias dhe sukseset e ekipeve të tjera shqiptare, do ta katapultonin më sipër Shqipërinë. /Sport Ekspres/