“Emocionohem sa herë më thërret Shqipëria”! Asllani: Tifozët tanë janë zjarr, mezi e pres ndeshjen me Italinë

Pas publikimit të listës paraprake për Kampionatin Europian “Gjermani 2024”, kuqezinjtë kanë nisur përgatitjet nën urdhrat e trajnerit Silvinjo dhe stafit teknik. Atmosfera brenda ekipit është shumë e mirë dhe të gjjithë janë të gatshëm për të dhënë maksimumin.

Në një prononcim për fshf.org, Kristjan Asllani dhe Arlind Ajeti kanë treguar emocionet kuqezi në prag të finaleve të Kampionatit Europian “Gjermani 2024”.

Kristjan Asllani tregon se gjithmonë është një emocion i madh ftesa nga Kombëtarja dhe shton se po pret me padurim për të luajtur ndeshjet e Europianit, sidomos me Italinë.

“Është një emocion i madh sa herë të thërret Kombëtarja shqiptare. Do shkojmë me shumë dëshirë për të luajtur ndeshjet, janë shumë të bukura. Mezi po pres, sidomos ndeshjen e parë me Italinë. Ndjehem shumë mirë. Ka qenë një sezon shumë i mirë për skuadrën dhe për mua, pasi kam marrë shumë minuta këtë vit. Tani kemi ndeshjet dhe shpresoj që të paraqitemi sa më mirë”- tha fillimisht mesfushori kuqezi, i cili shtoi se tifozët shqiptarë janë zjarr dhe mbështetja do të jetë maksimale edhe në Gjermani.

“Ne i presim tifozët të shumtë, na kanë ndihmuar edhe në kualifikuese. Kur kemi ata, jemi një lojtar më shumë në fushë dhe kjo është gjëja kryesore. Ne i presim dhe shpresoj që të na mbështesin si gjithmonë. Dua ta luaj ndeshjen me Italinë, kam shumë shokë dhe pastaj kam jetuar në Itali. Kjo është një ndeshje e veçantë për mua. Siç edhe thashë, mezi po pres që të futem në fushë. Tifozët shqiptarë janë zjarr dhe mezi po i pres që t’i shoh e të jemi të bashkuar” – përfundoi prononcimin e tij Kristjan Asllani.