Gjermania u largua nga EURO 2024-a pas humbjes 2-1 kundër Spanjës. Një disfatë që dhemb shumë për “pancerat”, pasi goli që vulosi eliminimin e tyre u shënua në minutën e 119. Joshua Kimishi është shprehur i zhgënjyer pas përfundimit të ndeshjes. Lojtari gjerman ka thënë se rezultati ishte i padrejtë, pasi sipas tij Spanja thjesht po shpresonte ta dërgonte sfidën drejt penalltive. Kimishi përmend gjithashtu 11 metërshin e padhënë nga arbitri Tejlor.
“Është shumë e padrejtë. Në pjesën e parë spanjollët ishin më mirë, por në pjesën e dytë dhe në kohën shtesë ne ishim shumë më mirë dhe kishin shumë më tepër shanse më të mira. Spanja donte që ta dërgonte ndeshjen me penallti. Të lë një shije të hidhur që pësuam golin e dytë në minutën e fundit. Patëm dy shanse të mira pas kësaj. Gjithashtu kishim një penallti për prekje të topit me dorë përpara 2:1-shit. Fatkeqësisht, shumë gjëra shkuan kundër nesh”, ka deklaruar Joshua Kimishi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/