Shqipëria ka marrë fitoren e 3-të në grup. Kuqezinjtë kanë mposhtur me shifrat 2-1 San Marinon. Asllani realizoi një gol spektakolar në minutën e 10 të lojës, duke zhbllokuar kështu rezultatin. Me golin e shënuar herët u krijua përshtypja se ndeshja do të shkonte drejt goleadës, por e kundërta ndodhi.
Lazari tundi rrjetën në minutën e 66, duk befasuar kështu kuqezinjtë. Këta të fundit u hodhën në sulm, por golin e gjetën në minutat e kohës së shtuar. Ismajli fitoi një penallti, të cilën e shndërroi në gol Asllani. Me këtë fitore kuqezinjtë marrin sërish kreun e renditjes, me 9 pikë të grumbulluara gjithsej. Pas përfundimit të ndeshjes, lojtarët dhe trajneri kanë dhënë intervistat e tyre për “TV Klan”-in.
Daku: “Kjo është një gjë që duhet ta mësojmë të gjithë ne si futbollistë këtu. Nuk duhet nënvlerësuar asnjë Kombëtare, sepse të gjithë ekipet po luajnë futboll tani. Duke filluar nga unë i pari, duhet të jemi më të përqendruar. Është turp të lësh pikë me këtoj lloj ekipesh. Pealltia? E mora topin për t’i hutuar mbrojtësat dhe portierin që të mos i flisnin ndonjë fjalë. Megjithëse edhe po t’i flisnin ndonjë gjë, kisha besim te Asllani”.
Gjimshiti: “Duhet të nxjerrim shumë mësime. Në karrierën time nuk mbaj mend të kemi pasur një ndeshje ku e mendonim që do të fitonim, por që nuk u duk fare diferenca me San Marinon. Në minutat e fundit me vepra do të kisha treguar që të ikja dhe unë përpara. Por rreziku ishte se mund të shënonin golin e dytë. Mesfusha ishte bosh. Fitonin çdo duel. Më dukej sikur kishin ata më shumë kualitet se sa ne me kombinimet që po bënin.”.
Hysaj: “Vuan Shqipëria sepse nuk shënon ato raste që ka. Po t’i shfrytëzonim do të kishim fituar 3-0 që në pjesë të parë. San Marino ishte shumë poshtë dhe nuk po na linte hapësira për të sulmuar me shpejtësi. Por edhe disa lojtarë i kam parë pak të lodhur. Nuk ishte ndeshje e dobët. Unë kisha besim në fushë se do të fitonim 2-0 apo 3-0. Por kur po qendronim 1-0 pata pak frikë, sepse nga eksperienca e di që mjafton një moment dhe të ndëshkon kundërshtari. Por le të falenderojmë fatin që fituam penalltinë në fund dhe fituam”.
Maran: “Sigurisht që nuk bëmë një ndeshje të mirë. Por në fund arritëm të merrnim tre pikët. Krijuam shumë mundësi në pjesën e parë, por nuk i shfrytëzuam dot. Ulëm ritmin në pjesën e dytë. Menduam se kjo ndeshje ishte e fituar. Por në fakt duhet ta kishim mbyllur ndeshjen që në pjesën e parë. Ndonjëherë ndaj këtyre ekipeve ulet edhe përqendrimi. E kishim në kontroll dhe mjaftonte momenti për të mbyllur ndeshjen. Muçi nuk mund të vazhdonte ndeshjen, pasi kishte një dhimbje në pjesën e kofshës. Nëse llogarisim edhe ndeshjen e Finlandës, mund ta kishim mbyllur këtë ndeshje me 12 pikë”./Sport Ekspres/