Faza e ligës ka marrë tashmë pamjen e plotë. Ekipet që do të luajnë në “play off” të Ligës së Kampionëve dhe ato që do të luajnë në 8-she janë përcaktuar përfundimisht. Liverpuli, Barcelona, Arsenali, Interi, Atletiko e Madridit, Bajer Leverkuseni, Lila dhe Aston Vila janë skuadrat që do të luajnë në 8-she, ndërsa 16 ekipet e tjera do të duhet të zhvillojnë fillimisht fazën “play off”.
Fati nuk i ka buzëqeshur aspak Mançester Sitit. Pas kualifikimit me shumë vështirësi, “qytetarët” do të gjejnë në raundin tjetër njërin prej Realit të Madridit dhe Bajernit të Mynihut. E nëse e kalon këtë pengesë, më tej do të gjejë Leverkusenin ose Atletikon e Madridit.
Ndërkohë Interi rrezikon të përplaset me Milanin ose me Juventusin në Ligën e Kampionëve. Gjithmonë, nëse dy ekipet e njohura italiane sigurojnë kalimin me sukses të “play off”-it. Shorti i fazës me eleminim të drejtpërdrejtë do të zhvillohet më 31 janar./Sport Ekspres/