FSHF organizon më 27 qershor seleksionime në SHBA, aplikimet vijojnë të jenë të hapura

Një nga nismat më të rëndësishme të Federatës së Futbollit vijon të mbetet identifikimi dhe përfshirja e talenteve shqiptare që jetojnë jashtë vendit, veçanërisht në SHBA dhe Kanada. Në këtë kuadër, më 27 qershor do të zhvillohet një ditë seleksionimi, e fokusuar te futbollistët e vitlindjeve 2010, 2011, 2012, 2013 dhe 2014.

Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe futbollit të vajzave, ku të gjitha lojtaret e interesuara do të kenë mundësinë të marrin pjesë pa kufizim moshe.

Ky aktivitet do të zhvillohet në kompleksin “Hudson Sports Complex, Warwick, NY” dhe do të organizohet nga ish-mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Ansi Agolli. Gjithashtu, pjesë e këtij udhëtimi do të jetë edhe Drejtori i Departamentit të Skautizmit në FSHF, Tefik Agolli.

Qëllimi i këtij seleksionimi është evidentimi i talenteve të reja, si edhe ndjekja nga afër e progresit të futbollistëve shqiptarë që jetojnë dhe aktivizohen në SHBA dhe Kanada.

Të gjithë të interesuarit për të marrë pjesë në këtë proces seleksionimi duhet të dërgojnë të dhënat e tyre në adresën e e-mailit: [email protected]. Aplikimi duhet të përfshijë emrin, mbiemrin, datëlindjen, klubin ku aktivizohen, pozicionin në fushë, faqen zyrtare të klubit, pasaportën që zotërojnë, si dhe një numër kontakti.