FSHF organizon me sukses seleksionimin në SHBA, 134 futbollistë pjesëmarrës nga diaspora

Federata e Futbollit ka zhvilluar me sukses seleksionimin për futbollistët e rinj shqiptarë në diasporë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë fundjavës, në “Hudson Sport Complex” në New York u organizua seleksionimi, ku morën pjesë 134 futbollistë të datëlindjeve 2009-2013, përfshirë edhe 12 vajza.

Një kontribut të madh dhe të veçantë në organizimin e këtij eventi dha Ansi Agolli, ish-futbollist i Kombëtares. Aktiviteti u ndoq nga afër nga Ardi Behari, përgjegjës i skautizmit në FSHF, si dhe zv. trajneri i Kombëtares, Ervin Bulku, të cilët panë nga afër talentet që mund të përfaqësojnë Kombëtaret e moshave në të ardhmen.

Gjatë seleksionimit u identifikuan disa futbollistë me potencial, që do të vijojnë të ndiqen në vazhdimësi nga Departamenti Teknik i FSHF-së.

Ky seleksionim në SHBA ishte një tjetër hap konkret në misionin e FSHF-së për të ndërtuar lidhje të forta me komunitetin shqiptar jashtë vendit dhe për të përfshirë talentet më premtuese në projektet afatgjata të ekipeve kombëtare.