Shqipëria e Futsallit zhvilloi pasditen e sotme ndeshjen e parë kualifikuese ndaj Kazakistanit, e vlefshme për Kampionatin Europian 2026. Në takimin e luajtur në Parkun Olimpik të Tiranës, kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Erind Resuli u mundën me rezultatin 0-2.
Tekniku shqiptar e nisi ndeshjen me këtë 5-she titullare: Fidan Misini (GK), Arif Limani, Arber Shkodra, Halim Selmanaj, Ermir Kryeziu.
Pjesa e parë nisi jo mirë për kuqezinjtë, të cilët tentuan portën duke pasur disa raste të mira por pa fat. Kazakët ishin më me fat në këtë fraksion, teksa shënuan dhe kaluan në avantazh, duke shkuar në dhomat e zhveshjes me epërsinë 0-1.
Nuk ndryshoi asgjë as në pjesën e dytë pavarësisht përpjekjeve të kuqezinjve. Kazakët realizuan edhe golin e dytë në minutat e fundit të takimit dhe ndeshja u mbyll me rezultatin 0-2 për Kazakistanin.
Kombëtarja e futsallit do të luajë ndeshjen tjetër kualifikuese të Europianit ndaj Danimarkës më 18 dhjetor në ora 18:00 në transfertë.
Shqipëria e Futsallit është pjesë e grupit 6, së bashku me Kazakistanin, Armeninë dhe Danimarkën.