Gerti Çarçani/ 3 milionë euro CASH për klubet e futbollit! FSHF, “kasko” ndaj burokracisë shtet!

Nga Gerti Çarçani

Paraditen e 25 qershorit, FSHF zgjodhi që një Asamble të zakonshme vjetore ta shndërronte edhe si një lokacion për të dhënë disa mesazhe të qarta, politikës, por mbi të gjitha edhe klubeve, edhe pse presidentët e klubeve kryesore mungonin në sallë vetë.

E ndër ato raportet rutinë, kjo Asamble prodhoi edhe një tjetër zhvillim shumë interesant, tepër të domosdoshëm në kohën që jeton e mbijeton futbolli sot. President Duka kishte zgjedhur pikërisht organin më të lartë vendimmarrës, të servirte si një tjetër support jashtëzakonisht utilitar për klubet e futbollit, një “menu” jo me rregulla e ndryshime statuore, por krejtësisht tjetër gjë:

Duke nisur nga sezoni i ri, FSHF në projeksionin e të ardhurave të akumuluara të saj do të shpërndajë 3 milionë euro CASH për klubet e Superiores dhe të Kategorisë së Parë! Një shifër që kaloi tangent, edhe për një arsye: Sepse përherë nuk ka shumë vëmendje, edhe në asamble të tilla. 3 milionë euro cash për shpërndarje në klubet e Superiores dhe të Parës, natyrisht me prioritet Superioren.

Kritere për të cilat më vonë institucioni do të flasë, por tashmë është fakt, që federata do ti asistojë klubet. Dhe janë para CASH që nuk do të përfshihen në të ardhurat e se drejtës TV, bonuseve të formatit FINAL 4, apo korridoreve të tjera financiare që klubet përfitojnë diçka tani, por do të jetë krejtësisht një dicka plus, shtesë. Pra, një financim më vete nga FSHF për klubet e Superiores dhe të Parës, në këtë sezon të ri që po troket, por që në muajt pasues do të ketë disiplinuar edhe shtratin rregullativ të përfitimit të këtyre fondeve. Janë para që dalin nga Buxheti i FSHF-së e që natyrisht do të shkojnë në arkat e klubeve, pa asnjë imponim destinacioni, por CASH për përdorim për nevojat e tyre. Natyrisht jo për të blerë mobilje, por për një përdorim bazik Brenda klubeve…

Një ndërhyrje në kohën e duhur, në momentin më të nevojshëm dhe në nuhatjen e vetë lidershipit për një vonesë të gjatë të dy stacioneve kryesore që do të prodhonin para për futbollin:

1. Ligji për Sponsorizimin (që s’ka nisur ende asnjë hap procedurial)

2. Apo zbatimi I Ligjit te Miratuar të Basteve nga ku futbolli do të ishte një përfitues në distancë, por jo bazik…

Dhe në këto kushte, kur këto dy korridore financimi janë ende larg premisave për një rimëkëmbje financiare të klubeve, FSHF zgjedh të operojë në mënyrë të drejtpërdrejtë: 3 milionë euro CASH për anëtaret e saj të Superiores dhe të së parës. E vetdijshme për kapacitet aktuale të secilit klub, apo edhe për bllokimin burokratik të mundësive që vijnë nëpërmjet shtratit ligjor, ajo zgjedh të veprojë vetë, duke premtuar si një hap për sezonin e ri jo pak para.

Dhe në një mënyrë apo tjetër do të ishte një zë më vete në arkat e klubeve që momentalisht operojnë me:
1. Buxhet të vetë presidentëve
2. Zë të ardhurash nga e Drejta TV
3. Zë të ardhurash nga pjesëmarrja në Europë (vetëm për 4 klube)
4. Zë të ardhurash nga shitja e lojtarëve (ato pak klube që kanë këto elementë)
5. Zë të ardhurash nga shitja e biletave (krejtësisht e vogël)
6. Zë të ardhurash nga marketing (krehtësisht I vogël)
7. SHTOHET së fundmi fondi financues nga FSHF!

MUNGON:
8. Zëri bazik nga të ardhurat e Ligjit të Sponsorizimit (në Kosovë vepron prej disa vitesh)
9. Zëri nga të ardhurat e basteve online (me ligj të miratuar, por me praktikë të bllokuar dhe të zezë të ligjëruar)

E kështu zgjodhi president DUKA dhe vetë Komiteti Ekzekutiv të shndërrojë Asamblenë e Zakonshme të 25 qershorit, në një premtim publik për klubet për financim të drejtpërdrejtë prej 3 milionë eurosh. Dhe këtë financim e përcolli edhe përpara ministers Manastirliu, përtej Apelit për të frenuar në mënyrë imediate Ndryshimin e Ligjit për Sportin, kujtesën për Ligjin e Sponsorizimit, apo edhe apelit për një fond të premtuar e munguar ende nga institucioni për Europianin e U-17 që u realizua në Tiranë. Shteti është me frena dore ende, FSHF bën lëvizjen tjetër për të shtuar më shumë serumin për klubet e saj. Por, Ligji për Sponsorizimin mbetet gangrena më e madhe bllokuese si një vullnet politik i premtuar, por deri tani i munguar. Për të mos folur për bastet online që ulërasin në praktikë, dhe thellojnë gropën në buxhet…