Gjermania i kapi në befasi nga këndorja, Spaleti, E dinim që do ndodhte, të paktën tani që e pësuam do ta kuptojmë

Gjermani-Itali ka përfunduar në barazim 3-3, por “pancerat” janë kualifikuar në gjysmëfinale pas fitores në ndeshjen e parë. Goli i dytë i gjermanëve i kapi në befasi axurrët. Lojtarët italian ishin të gjithë të drejtuar nga arbitri në kohën kur u ekzekutua me shpejtësi një goditje nga këndi. Musiala u gjet me portën bosh në zonë dhe e dërgoi topin në rrjetë.

Spaleti ka deklaruar pas ndeshjes se lojtarët e ekipit të tij e dinin këtë strategji të kundërshtarit, por sërish gabuan. Ai shton se ndoshta pësimi i këtij goli do t’i bëjë ta kuptojnë më mirë gabimin e kryer, në mënyrë që në ndeshjet në vazhdim të jenë më të vëmendshëm ndaj detajeve.

“Ndeshjet prodhojnë gjithmonë lajme. Pjesa e parë pati pak vendosmëri. Në pjesën e dytë ne e kuptuam që duhet të jepnim më shumë dhe pamë Italinë që të gjithë presin. Meritonim pak më tepër fat. Goli i dytë? E kishim parë që ata e godasin topin shpejt. E dinim këtë, por nëse më pas kthejmë shpinën dhe nuk ia dalim dot… Në këtë pikë është më mirë që e pësuam golin, të paktën kështu do ta kuptojnë”, ka deklaruar Luçiano Spaleti./Sport Ekspres/