Përballja mes Realit të Madridit dhe Barcelonës ka prodhuar mjaft polemika. Skuadra katalanase ka kërkuar vendosjen e teknologjisë “goal line”, duke qenë se mbrëmjen e djeshme u është mohuar një gol edhe pse topi dukej se kishte kaluar vijën fatale. Të shumtë kanë qenë personat që i kanë kërkuar Federatës të pajisë arbitrat me orën e teknologjisë “goal line”.
Ndërkohë nuk mund të qendronte pa reaguar kreu i ligës profesioniste të Spanjës. Javier Tebas ka shpërndarë në llogarinë e tij në “Twitter” tre copëza lajmesh ndër vite, të cilat nxjerrin në pah gabimet e teknologjisë “goal line”. Bëhet fjalë për nga një gabim përkatësisht në Serinë A, Premier League dhe Ligue 1. Gjithsesi lajmet e shpërndara nga Tebasi datojnë disa vite më parë dhe natyrshëm ngrihet pyetja: A e justifikojnë tre gabime në disa vite në tre prej ligave më të forta të Europës mospërdorimin e teknologjisë? Sigurisht që në Spanjë presin një përgjigje./Halit Delibashi-Sport Ekspres/