Sot është mbyllur java e rregullt e Superiores. Tirana ka shpëtuar dhe do të jetë në Play Out, për të mos rënë direkt nga Superiorja pas 36 javëve. Bardheblutë kanë bërë sot detyrën duke fituar 0-2 ndaj Dinamos dhe do të presin fituesin e Pogradeci-Besa për t’u përballur për biletën e Superiores në sezonin tjetër.
Partizani ka fituar 2-0 ndaj Elbasanit për të marrë biletën e Europës dhe Final Four. Elbasani vinte i avantazhuar në këtë takim pasi i mjaftonte edhe barazimi, por ekipi i Skënder Gegës ka fituar bindshëm dhe me paraqitjen në fushë, për të qenë pjesë e Final Four. Një rezultat që merr shumë vëmendje ai i Skënderbeu-Bylis, 1-2, teksa me këtë fitore ballshiotët shpëtojnë, por hedhin korçarët në Kategorinë e Parë. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve në “RTSH Sport”:
Mezani (Bylis): “Nuk është vetëm merita ime, është merita e Egbo, merita e Nevilit. Thjesht unë jam tani këtu dhe sigurisht më takojnë disa merita më shumë. Por është merita e të gjithëve. Ishte një ndeshje e bukur, e luftuar deri në fund dhe fati na buzëqeshi ne. Ishte e vështirë sepse ishte finale mes nesh dhe Skënderbeut dhe luhej në Korcë. Jam munduar që ekipi të jetë i qetë gjatë gjithë javës, edhe pse dihet që presioni ishte shumë i madh. Kemi siguruar biletën për në Superiore sezonin tjetër. I thashë ekipit që nëse vinim për barazim në Korcë do të humbnim. Guxova me presionin lart sepse sic thashë, nëse rrinim në mbrojtje, do të humbnim”.
Ilir Daja (Dinamo): “Kishim një ndeshje me Vllazninë që u ngarkuam fizikisht dhe duhej të bënim një rotacion. Ishim të detyruar për të bërë rotacionin pa prishur ekuilibrin e lojës. Por motivi që ne kemi për Final Four dhe Kupën, na ka shpërqendruar pak nga kampionati. Rotacioni ishte me 3-4 lojtarë. Kemi një finale për të luajtur me Egnatian dhe ishim të detyruar për këtë rotacion”