Vedat Muriqi është njeriu i momentit në Spanjë! Futbollisti shqiptar po e dërgon Shqipërinë dhe Kosovën në një tjetër nivel në La Liga, duke qenë ambasadori ynë më i mirë. Shumë gola të shënuara dhe rekorde të thyera te Mallorca, ndërsa nga ana tjetër, Muriqi po lufton për vendin e parë në listën e golashënuesëve.
Por çfarë ndodhi? Në mbrëmjen e djeshme, Mallorca është përballur në shtëpi kundër Valencias, në ndeshjen e mbyllur në shifrat 1-1. Përpara fillimit të ndeshjes, një banderolë e madhe është hapur në stadium për Vedat Muriqin. “Ishulli i Piratëve” shkruhej në të, teksa tregohej qartazi figura e Muriqit, me tifozët që duartrokitën sulmuesin shqiptar.
Aktualisht Muriqi ndodhet në vendin e dytë në listën e golashënuesve, me jo pak, por 21 gola të shënuar. Ndërkohë në vendin e parë ndodhet Kilian Mbappe me 24 gola të shënuar, në duelin e fortë që duket se do të zgjasë deri në fundin e sezonit.
Por gara mbetet padyshim e pabarabartë për faktin se Muriqi është pjesë e Mallorca-s dhe Mbappe është pjesë e Real Madridit.
Ndërkohë një skenë e tillë është parë vetëm para disa vitesh me Altin Lalën te Hanoveri dhe ndodh shumë rrallë mes lojtarëve shqiptarë. Për këtë arsye, një vlerësim i tillë mbetet padyshim historik jo vetëm për Vedat Muriqin, por për të gjithë lojtarët shqiptarë. /Sport Ekspres/