“Hoxha luajti mirë, bëti atë që prisja”, trajneri i Dinamos së Zagrebit: Ankesat e kundërshtarit? Zemërohen sepse humbën

Dinamoja e Zagrebit është kualifikuar në turin e tretë të Ligës së Kampionëve. Klubi kroat ka eleminuar Thunin pas kohës shtesë me rezultat të përgjithsëm 4-2. Trajneri i Dinamos së Zagrebit nuk i ka pranuar ankesat e kundërshtarëve për arbitrimit, të cilat sipas tij vijnë për shkak të zemërimit momental prej humbjes së pësuar. Ai gjithashtu ka vlerësuar paraqitjen e Arbër Hoxhës, që hyri në fushë nga stoli dhe përmbushi me sukses detyrat e caktuara nga trajneri.

“Humbësi ka të drejtë të zemërohet, por ne flasim shumë për arbitrimin pas një ndeshjeje të shkëlqyer. Mund të them se më pëlqeu skuadra e Thunit, ata dhanë gjithçka nga vetja, luftuan edhe më vonë kur kishin më pak lojtarë. Urime për ta. Nuk do të kishte qenë e pamerituar nëse Thuni do të kishte avancuar. Por nëse i shoh të dyja ndeshjet, ende mendoj se ishim më të mirë me atë gol të vetëm dhe e meritonim të kualifikoheshim.

Zëvendësimet? Arbër Hoxha gjithashtu hyri nga stoli dhe ishte gjithashtu i mirë. Epo, të gjithë ata që hynë në fushë bënë atë që pres prej tyre”, ka deklaruar Mario Kovaçeviçi /Sport Ekspres/