Humbi penalltinë që do të na jepte fitoren kundër Serbisë, Manaj: Nuk ua shpjegoj dot me fjalë se çfarë po ndiej… 

Rei Manaj humbi penalltinë, rastin ideal që Shqipëria të fitonte kundër Serbisë. Një ekzekutim tërësisht i dobët dhe i pakuptueshëm nga ana e sulmuesit shqiptar, që la në fuqi rezultatin 0-0. Në ditën e sotme, Manaj ka kërkuar falje për atë penallti të humbur nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.  

“Sot ndjej një dhimbje të madhe që nuk mund ta shpjegoj me fjalë. E di sa shumë prisnin shqiptarët nga kjo ndeshje dhe e di sa rëndësi kishte ajo për të gjithë ne. Më vjen thellësisht keq për penalltinë që humba. Si sulmues gjithmonë marr përgjegjësinë përpara portës, dhe nuk arrita të bëj atë që duhej. 

Ju kërkoj ndjesë të gjithë tifozëve shqiptarët, bashkëlojtarëve dhe stafit. Ju siguroj që kjo ndjesi nuk më lë rehat dhe do ta përdor si forcë për të ardhur më i fortë, për i përqëndruar dhe më i vendosur”, shkruan Manaj. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/