I shënuan tre gola edhe në Beograd, Dinamo e Kievit largon Partizanin me goleadë nga Champions-i

Dinamo e Kievit ka eliminuar sot Partizanin e Beogradit nga Champions League-a. Ukrainasit kanë fituar edhe në Beograd, ku ndeshja përfundoi me rezultatin 0-3. Yarmolenko zhbllokoi rezultatin në minutën e 17, ndërsa më pas ishte Vanati ai që dyfishoi shifrat nga pika e bardhë e penalltisë në minutën e 68. Rezultati përfundimtar u vulos në minutën e 93-të, kur Karavaevi e dërgoi topin në rrjetë.

Kështu, Dinamoja ka nxjerrë jashtë Champions-it me goleadë Partizanin e Beogradit, të cilin në ndeshjen e parë e mposhti me shifrat 6-2. Një kualifikim domethënës për ukrainasit, pasi këta të fundit e bënë të qartë në media se kërkonin “hakmarrje” sportive ndaj serbëve për shkak të politikës pro ruse të mbajtur në këtë periudhë të vështirë për Ukrainën./Halit Delibashi-Sport Ekspres/