Adel Tarabti është rrëfyer për karrierën e tij në një intervistë të dhënë së fundmi për “La Gazzetta dello Sport”. Lojtari 37-vjeçar ka kujtuar kohën e tij te Milani. Tarabti është shprehur se ishte ndër më të mirët e skuadrës, por Inzagi nuk e donte në ekip. Më tej ai ka shpjeguar edhe përplasjen e tij me Kakanë, të cilit, në nerva e sipër, i ka vendosur duart në fyt.
“Inzagi nuk donte të më mbante. Thjesht kaq. Në atë kohë isha më i miri, me katër gola dhe dy asiste. Dhe e them këtë me gjithë respektin për Robinjon, Kakanë dhe Balotelin, të cilët ishin lojtarë të mëdhenj. Ende e kujtoj debutimin tim në Ligën e Kampionëve kundër Atletico Madridit. Në ndeshjen e parë bëra një paraqitje të shkëlqyer. Mendova se do të më konfirmonin, por nuk ndodhi kështu dhe rashë në depresion. Së bashku me transferimin e dështuar te PSG-ja, këto janë dy pendesat më të mëdha që mbaj me vete.
Përplasja me Kakanë? Ishte një ushtrim, sulm kundër mbrojtjes. Nuk ia pasova topin Rikit (Kakasë) dhe ai filloi të më bërtiste për disa minuta. Nuk pushonte së bërtituri. Në një moment, i vura duart në fyt. Për një çast e humba kontrollin. Në fund, i kërkuam falje njëri-tjetrit”, ka rrëfyer Adel Tarabti./Sport Ekspres/