Iku fshehurazi nga grumbullimi dhe dorëzoi raport mjekësor, reagon klubi i Serisë A: E turpshme, kërkon të na zhvasë

Sebastiano Esposito është kthyer në një çështje në klubin e Kaljarit. Lojtari italian shtangu opinionin sportiv dhe klubin, teksa u largua fshehurazi nga kampi stërvitor. E si për të mos u mjaftuar me kaq, dorëzoi më pas një raport mjekësor për të marrë disa ditë pushim. Drejtori sportiv i Kaljarit ka thyer heshtjen në lidhje me këtë çështje. Stefano Melisi e ka konsideruar të turpshëm raportin mjekësor të lojtarit, i cili përpara pak kohësh mori edhe një rritje të pagës së tij.

“Ky është një nga ato raste që nuk pasqyron mirë botën e futbollit dhe padyshim i bën tifozët dhe entuziastët pak të zhgënjyer. U habitëm dhe u zhgënjyem nga zhvillimi i kësaj situate. Kaljari ishte ulur me menaxherin në një fazë të hershme, pavarësisht faktit se ai kishte një kontratë deri në vitin 2030 të nënshkruar vitin e kaluar, dhe javën e kaluar kishte zyrtarizuar një propozim për rritje të konsiderueshme të pagës, gjë që e bëri Espositon një nga lojtarët më të paguar në skuadër. Ishte bujaria jonë, dhe në fund, u përballëm me diçka që i ngjante një përpjekjeje zhvatjeje. Djali, padyshim i këshilluar keq nga agjenti i tij, u largua nga kampi stërvitor gjatë natës, duke mos respektuar grupin, trajnerin, stafin dhe tifozët e kuqeblu. Ne e prisnim atë sot kur stërvitja rifilloi, por në vend të tij, mbërriti një certifikatë mjekësore me përmbajtje të turpshme, për të thënë më të paktën. Lojtari është sigurisht në treg, por Kaljari do të shqyrtojë vetëm ofertat që janë në përputhje me aftësitë e tij teknike dhe në përputhje me kërkesën e tij të përsëritur për një pagë afër dyfishit të tij aktual”, ka thënë Stefano Melisi./Sport Ekspres/