INTERVISTA/ Të punosh dhe jetosh me futbollin edhe në Amerikën e largët, dikur luante për Elbasanin

INTERVISTA/ Të punosh dhe jetosh me futbollin edhe në Amerikën e largët, dikur luante për Elbasanin

Pasioni për futbollin lidh shumë njerëz që jetojnë e punojnë jashtë kufijve të Shqipërisë, e deri përtej Atlantikut nmë SHBA. Dhe në këto radhë të këtij shkrimi flasim pikërisht për Briken Derstilën, një futbollist shqiptaro-amerikan, sepse ka nisur të luajë në Shqipëri, për të vazhduar më pas edhe në SHBA. Brikeni në fillimet e tij në Shqipëri u aktivizua si mesfushor sulmues për KF ELBASANIN nga viti 1997-1999, dhe më pas për KF Devollin nga viti 1999-2001.

Pasi u transferua për të punuar e jetuar në Shtetet e Bashkuara, Brikeni luajti më pas në Naples, në Florida. Pasioni i fortë për sportin i ka qëndruar me vete gjatë gjithë jetës së tij. Duke pasur një djalë, Brikeni filloi t’i mësonte djalit të tij, por edhe shumë fëmijëve të tjerë vendas për sportin e futbollit duke punuar intensivisht me ta. Kjo fazë trajnimi në SHBA, e çoi atë në drejtimin më tej të një ekipi djemsh të rinj në Floridën jugperëndimore.

Ai shpreson që të gjithë fëmijët që janë pjesë e grupit të tij, por jo vetëm, përfundimisht të shndërrohen në lojtarë profesionistë futbolli dhe të nisin karrierat e tyre. Për “Sport Ekspres” nga Florida Brikeni flet për këtë passion të tij që tashmë e ndan me fëmijët.

Briuken, cila është përvoja juaj në futboll, duke punuar me fëmijët në SHBA?

E pasur dhe e bukur do të thoja. Kam stërvitur ekipet e futbollit të djemve për të rinj për rreth 5 vjet. Fillova me ekipin e djalit tim kur ai ishte në moshën U-9 dhe më pas kam punuar me ekipet e tij çdo sezon që atëherë. Ai tani aktivizohet në një ekip konkurrues për moshën U-13.

Mund të na thoni dallimin midis punës me fëmijë më të vegjël dhe atyre më të rritur, vështirësitë dhe lehtësitë?

Me fëmijët më të vegjël ata nuk kanë aq shumë koncept të bazave, kështu që duhet t’u mësosh gjithçka që nga A-ja e futbollit. Pastaj me fëmijë pak më të rritur, mund të shihni pjekurinë në fushë dhe gjithçka ata veprojnë. Tani jam në fazën që po u mësoj atyre artin e sportit të futbollit në mënyrë që ata që ata ti dinë bazat. Po punojmë për të mbajtur energjinë e tyre lart, duke luajtur në një fushë me madhësi të plotë.

Sa kohë keni që e ushtroni një aktivitet të tillë dhe që ju lidh padyshim me pasionin për futbollin dhe trajnimin?

Kam qenë në process trajnues e stërvitor për rreth 5 vjet. Çdo sezon është i ndryshëm nga tjetri, por edhe shumë i dobishëm duke i mësuar atë që di kësaj gjenerate të ardhshme lojtarësh.

A mund të na bëni një krahasim mes jush kur keni luajtur dhe vetë djalit tuaj që luan tani?

Fillova të mësoja ato elementet e para të futbollit kur isha një djalë i vogël rreth moshës së djalit tim. Luajta me miqtë e mi në lagje dhe vazhdova të luaja më pas edhe për qytetin tim, dhe më vonë për Devolin. Djali im ka shumë aftësi dhe potencial për t’u bërë një lojtar i ardhshëm futbolli. Unë punoj me të çdo ditë intensivisht. Dashuria për sportin është diçka që e kemi të përbashkët. Është kënaqësi për mua të punoj me brezin e ri për t’u treguar atyre se sa i bukur mund të jetë ky sport.