Vedat Muriqi është shndërruar në një nga ikonat e Majorkës. Sulmuesi shqiptar theu së fundi edhe rekordin e golave të Etosë, duke qenë kështu në historinë e klubit. Në një intervistë të gjatë për “Klan Kosova”, ia ka rrëfyer edhe ndikimin e tij në ekip. Me paraqitjet dhe me karakterin e tij ai ka bërë që në kampin e Majorkës të bëhen edhe tifozë me Kosovën. Muriqi ka treguar se shokët e ekipit i kanë dërguar foto me fanellën e Kosovës duke ndjekur finalen e “play off”-it të Kupës së Botës kundër Turqisë.
“Samu Kosta, një ditë para lojës, më çon mesazh. Më dërgoi një foto. Ishte në Meksikë për të bërë një ndeshje miqësore. Me Zhoao Feliskin, me Ruben Neveshin, duke parë Kosovën. Duke parë ndeshjen e Kosovës. Antionio Sançezi me dërgoi foto nga shtëpia me fanellën e Kosovës, duke u bërë gati për të parë lojën e Kosovës në finale. Me Mohikën unë kan qenë bashkë me të për 2 vite. Ai e ka parë se sa e kam dashur unë të kualifikoheshim. Kur u ktheva, dështuam. Ata e kanë parë që isha totalisht i rënë me moral”, është shprehur Vedat Muriqi./Sport Ekspres/