“Jam 49 vjeç dhe në fund m’u duk vetja 69”, trajneri i Finlandës: Luajtëm si ekip moshash

Shqipëria u mposht me shifrat 2-1 nga Finlanda ditën e sotme. Megjithëse kuqezinjtë luajtën me një lojtar më pak për gati 70 minuta gjatë lojës, finlandezët e patën të vështirë të gjenin hapësira. Të dy golat e tyre erdhën prej goditjeve të dënimit dhe jo si rrjedhojë e aksioneve gjatë lojës.

Trajneri Friis ka shprehur hapur pakënaqësitë e tij pas ndeshjes. Ai ka thënë për mediat se në fund të lojës u ndje 20 vite më i vjetër. Sipas tij loja u bë kaotike, megjithëse ekipi ishte në epërsi numerike ndaj ndaj Shqipërisë.

“Jam 49 vjeç, por në fund të pjesës së dytë ndihesha sikur isha 69. Loja u bë tejet kaotike, duke marrë parasysh se ne ishim në avantazh dhe e kishim situatën nën kontroll.

Kemi një ekip të ri dhe në pjesën e dytë luajtëm pak a shumë si një ekip i moshave. Nuk luajtëm me qetësinë e duhur për të kontrolluar situatat, qoftë me apo pa top. Por kjo është ajo që ndodh ndonjëherë me ekipet e reja. Duhet të gjejmë elementet e duhura për t’ia dalë mbanë”, ka deklaruar Jacob Friis-i./Sport Ekspres/