Berat Gjimshiti është paraqitur në konferencë për shtyp në prag të sfidës kundër Polonisë. Kapiteni i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve të pranishëm në Varshavë. Lojtari i Atalantës ka theksuar se në një ndeshje të tillë nuk është përvoja ajo që vendos, por është dëshira, vullneti dhe djersa që derdh në fushë.
“Zhvillimi i Kombëtares ka qenë i mirë dhe eksperienca ka bërë të vetëm. Sigurisht që kundërshtari ka një nivel të lartë, por do të provojmë gjithçka për të arritur këtë ëndërr. Besoj që ekipi do të jetë gati, sepse është një rast i madh dhe nuk ka shumë lidhje eksperienca në këto ndeshje. Është dëshira, vullneti dhe djersa dhe çdo gjë që lë në fushë. Ai që është më i afti do të fitojë. Markimi i Levandovskit? Sigurisht që është shumë e vështirë. Ai është një ndër sulmuesve që ka bërë karrierë kaq të gjatë në këto nivele. Por nuk do të jem i vetmi që do ta ndal Levandovskin.
Fitorja e Ligës së Europës apo kualifikimi në Botëror? Në këtë moment nuk jam në atë pikë që të vendos se cilën preferoj. Si kapiten, të bëj një histori kaq të madhe me Shqipërinë do të jetë e mrekullueshme dhe pa fjalë. Por duhet të shohim ndeshjen e nesërme. Shanset kur hyn në fushë janë gjithmonë 50 me 50. Jam gjithmonë ai tip që hyj në fushë vetëm për fitore. Kështu besoj janë edhe të tjerët në Kombëtare. Taktikat i vendos trajneri, nëse do të mbrojmë apo do të sulmojmë.”, ka deklaruar Berat Gjimshiti./Sport Ekspres/