Për javë të tëra e ardhmja e Vinicius Junior ishte në qendër të merkatos evropiane, por tashmë duket se saga ka marrë fund. Sulmuesi brazilian ka vendosur të vazhdojë karrierën te Real Madridi, duke refuzuar interesimin e fortë të Arsenalit dhe duke arritur marrëveshje për rinovimin e kontratës me klubin spanjoll.
Sipas raportimeve nga Spanja, drejtuesit e Real Madridit zhvilluan një takim vendimtar me përfaqësuesit e lojtarit, ku palët gjetën gjuhën e përbashkët pas negociatave që kishin zgjatur prej disa muajsh. Edhe pse Vinicius kërkonte një pagë më të lartë, ai pranoi ofertën e klubit, duke zgjedhur të qëndrojë në “Santiago Bernabéu”.
Arsenali ishte gati të realizonte një nga transferimet më të bujshme të verës dhe kishte përgatitur një ofertë të majme për brazilianin. Megjithatë, dëshira e lojtarit për të vazhduar me fanellën e Realit rezultoi vendimtare, duke shuar shpresat e klubit londinez për ta transferuar në Premier League.
Mediat spanjolle raportojnë se Vinicius do të firmosë një kontratë të re deri në verën e vitit 2031, ndërsa zyrtarizimi pritet të bëhet së shpejti. Në vendimin e tij thuhet se ndikim ka pasur edhe trajneri Jose Mourinho, i cili e konsideron brazilianin një nga shtyllat kryesore të projektit të ri të Real Madridit.
Me këtë marrëveshje, “Los Blancos” sigurojnë vazhdimësinë e një prej yjeve më të mëdhenj të skuadrës, ndërsa i japin fund një prej telenovelave më të ndjekura të merkatos së verës. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/