Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka reaguar pas zyrtarizimit të kalimit të mbrojtësit të Kombëtares, Mario Mitaj, te skuadra e Serie A, Genoa, duke e cilësuar këtë si një hap shumë të rëndësishëm në karrierën e lojtarit dhe një dëshmi të rritjes së vazhdueshme të talentit shqiptar.
Në mesazhin e tij, kreu i FSHF-së thekson: “Urime Mario Mitaj për këtë hap të ri dhe shumë të rëndësishëm në karrierë! Kalimi te Genoa në Serie A është shpërblimi i merituar për punën, talentin dhe përkushtimin tënd të palodhur.
Fakti që lojtarët tanë po sigurojnë hapësira në kampionatet më të forta të Europës tregon qartë se futbolli shqiptar po fiton çdo ditë e më shumë respekt në arenën ndërkombëtare. Çdo kuqezi që shkëlqen në skena të mëdha është një frymëzim i madh për brezat e rinj dhe një krenari kombëtare.
Jam i bindur se me karakterin dhe aftësitë e treguara, do ta përfaqësosh me dinjitet fanellën kuqezi dhe futbollin tonë edhe në Itali. Suksese në këtë aventurë të re, Mario! Të gjithë jemi tifozë me ty!”, shkruan Duka. /Sport Ekspres/
Mitaj 22-vjeçari, i cili ka qenë një nga pikat kyçe të Kombëtares shqiptare, bashkohet me klubin italian të Genoas në formë huazimi me opsion blerjeje nga Al-Ittihad, duke nisur kështu një kapitull të ri në njërën prej ligave më prestigjioze në botë. /Sport Ekspres/