Mario Mitaj është zyrtarisht futbollist i Genoas, pasi klubi italian arriti marrëveshjen me Al Ittihad për transferimin e mbrojtësit të kombëtares shqiptare. Pas prezantimit të lojtarit, fjalët e mirëseardhjes erdhën edhe nga drejtuesit e klubit, të cilët shprehën bindjen se 22-vjeçari do të ketë një rol të rëndësishëm në projektin e ri të skuadrës. Shefi i Futbollit te Genoa, Diego Lopez, e vlerësoi lart Mitajn, duke theksuar cilësitë që e bënë klubin të investojë tek ai.
“Mario është një lojtar që kombinon dy karakteristika të rëndësishme: cilësinë teknike për të ndërtuar aksionet dhe forcën mendore që Genoa nuk mund ta ketë kurrë mungesë. Mirë se erdhe, Mario”, deklaroi Lopez. Mitaj vjen në Serie A pas eksperiencës me Al Ittihad në Arabinë Saudite, ndërsa më parë ka spikatur edhe me Lokomotivën e Moskës dhe AEK Athinën. Transferimi i tij konsiderohet një përforcim i rëndësishëm për krahun e majtë të mbrojtjes së skuadrës rossoblu.
Pritshmëritë janë të larta, pasi lojtari shqiptar njihet për shpejtësinë, aftësinë në fazën sulmuese dhe fleksibilitetin taktik. Genoa beson se Mitaj do të sjellë energji dhe cilësi në skuadrën e drejtuar për sezonin e ri të Serie A, ndërsa tifozët shpresojnë që ai të përshtatet shpejt dhe të bëhet një nga pikat e forta të ekipit. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/